Home Gjeo-Ekonomia Ndërkombëtarët do ta konsiderojnë “thikë pas shpine” nëse Kosova vazhdon me këtë...

Ndërkombëtarët do ta konsiderojnë “thikë pas shpine” nëse Kosova vazhdon me këtë kurs

“Është koha e fundit që Kosova të bëhet një aleat i besueshëm dhe i qëndrueshëm”, kanë thënë burime diplomatike ndërkombëtare për Albanian Post, të përfshira thellë në zhvillimet e fundit, kur Kosovës veçse i janë kumtuar masa shtrënguese nga Bashkimi Evropian dhe po shqyrtohen të tilla edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“De-përshkallëzimi është një domosdoshmëri”, ka thënë burimi, derisa ka shtuar se për aleatët ndërkombëtarë vazhdimi i Qeverisë së Kosovës në kursin aktual do të trajtohet si “backstabbing (thikë pas shpine)”.

Siç sqaron burimi për Albanian Post, perëndimi ka një front të hapur aktualisht dhe tensionimi i situatës në Veri të Kosovës me veprime të njëanshme nga një partner si Kosova, duke mos treguar ndjeshmëri për zhvillimet, është krejtësisht i papranueshëm.

“Në një kohë kur ne duhet të angazhojmë trupa dhe pajisje për të përforcuar krahun lindor të NATO-s, tensionet në Kosovë janë krejt të papranueshme. Nëse na duhet të dërgojmë trupa shtesë në Kosovë, kjo është si thikë pas shpine, qartë dhe thjesht”, ka thënë burimi diplomatik për AP-në.

Gjithë kjo mungesë koordinimi dhe këto veprime të kundërta me sa janë kërkuar nga komuniteti euro-atlantik nuk do të lihen pa u ndëshkuar me masa që shkojnë më larg se ato të prezantuara nga Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Gert Jan Koopman.

“E përsërisim, trupat tanë duhet të jenë në krahun lindor, jo në Kosovë. Nëse bëjmë devijim të trupave për të përforcuar KFOR-in, kjo do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, deklaroi burimi i AP-së.

Nevoja për de-eskalimi lindi nga e premtja e 26 majit kur Qeveria e Kosovës vendosi që me asistencë të policisë t’i dërgojë në objektet komunale kryetarët e dalur nga zgjedhjet në katër komunat veriore.

Ata s’u pranuan nga qytetarët lokalë, meqë ishin prodhim i mosdaljes në zgjedhje të serbëve me të drejtë vote në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut.

Komuniteti ndërkombëtar e kritikoi lëvizjen, duke e konsideruar të njëanshme dhe nxitës e tensioneve në një moment kur fokusi do të duhej të ishte në implementimin e Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel e të sekuencuar në hapa implementues në Ohër.

Kërkesës së Bashkimit Evropian për tre hapa shtensionimi; largim i kryetarëve nga objektet komunale, zgjedhje të reja dhe rikthim te drafti i statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kurti i është kundërvënë me një pranim gjysmak, duke renditur edhe disa kushte të tij që kanë të bëjnë me largimin, ndjekjen, arrestimin dhe gjykimin nga organet e drejtësisë të asaj që ai e ka quajtur “milici fashiste” të serbëve në Veri, orkestruar nga Beogradi Zyrtar.

Aktualisht nga katër kryetarët shqiptarë që ishin vendosur në objekte komunale, brenda objektit ka mbetur vetëm njëri – Lulzim Hetemi në Leposaviq.

Ndërsa Erden Atiq i Mitrovicës Veriore, Ilir Peci i Zveçanit dhe Izmir Zeqiri i Zubin Potokut kanë lëshuar ndërtesat.

Gjithçka ka mbetur e bllokuar në mos-largimin e Hetemit nga objekti tash e njw muaj dhe refuzimi për të larguar policët e njësive speciale nga po tw njwjtat objekte.

Paradoksalisht, për këtë arsye, pas shumë paralajmërimeve, Kosova ka përjetuar edhe masat e para shtrënguese konkrete, të shpalosura nga Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Gert Jan Koopman,

“Masat do mbulojnë pezullimin e punës së organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Ne gjithashtu do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën dhe propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor. Mbështetja e vazhdueshme përmes procedurave të prokurimit dhe nënshkrimi i kontratave gjithashtu do të pezullohet”, tha Koopman.

Ai shtoi se gjithashtu “ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen në mënyrë të barabartë”.

Koopman pohoi se “ne nuk i ndërmarrim këto veprime me dëshirë dhe ato duhet të shihem si të përkohshme dhe te kthyeshme në varësi të hapave të besueshëm vendimtarë që presim që autoritetet e Kosovës të ndërmarrin për të de-përshkallëzuar situatën”.

Megjithatë, video e fundit e publikuar nga Kurti për këtë situatë nuk ofron atë që kërkojnë ndërkombëtarët.

Ai ka përsëritur qëndrimet e tij dhe versionin e tij për de-eskalimin, që s’është krejt i përputhshëm me kërkesën ndërkombëtare.

Kurti, në mbledhjen e fundit qeveritare, foli shkurt edhe për masat e prezantuara nga BE-ja, por duke mos u treguar i drejtpërdrejtë.

“Ndaj BE-së me raste kemi qenë kritikë, por asnjëherë cinikë e të hidhëruar”, tha Kurti, duke mos vënë theksin te kërkesat e BE-së.

Për shkak të kësaj situate që nuk po gjen zhbllokim, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një propozim radikal, duke kërkuar ndryshim formati të dialogut – një tip konference ku do merreshin Kurti e Vuçiç e të mbylleshin derisa të gjendet zgjidhja e përhershme.

Rama ka pasur takime me të gjithë liderët institucionalë të Bashkimit Evropian, derisa ka kërkuar përfshirje akoma më direkte të Francës e Gjermanisë, si dy forcat udhëheqëse të unionit.

Rama idenë e tij e përforcoi edhe më shumë gjatë një konference të përbashkët kryeministrore të vendeve të NATO-s, ku i pranishëm ishte dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës, Jens Stoltenberg, duke thënë se “perspektiva e krijimit të një Donbass-i në mes të Ballkanit për shkak të një përshkallëzimi është një kërcënim real”.

Krahasimi i Veriut të Kosovës me rajonin e Donbasit në Ukrainë ku po zhvillohen luftime mes Ukrainës dhe Rusisë ishte ekstrem, por e tillë është edhe situata tha Rama, prandaj “të gjithë duhet të bëjmë diçka për ta parandaluar”.

Përshkallëzimi, deklaroi Rama, mund të sjellë fund katastrofik.

Meqë situata është e tillë, propozimi i tij për një konferencë është pranuar edhe nga presidenti i institucionit kryesor të BE-së, Këshillit Evropian.

Charles Michels, nga pozita e tij e presidentit të Këshillit, mbështeti qartësisht idenë dhe propozimin e kryeministrit Rama për mbajtjen e një konference normalizimi.

“Ne mbështesim idenë për të organizuar sa më shpejt një konferencë me disa shtete anëtare të BE-së shumë aktivë në të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese, me koordinimin e SHBA-ve”, u shpreh Michel gjatë një konference të përbashkët për shtyp me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Rama e vuri theksin te “konferenca e normalizimit” edhe gjatë komunikimit me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell.

“Uroj që konferenca e nivelit të lartë mes liderëve të të dyja palëve do të tërheqë vëmendjen e shteteve anëtare të BE-së e SHBA-të dhe të mos i lejojmë (Kurtin e Vuçiç-in) të dalin pa një marrëveshje nga konferenca”, ravijëzoi Rama.

Vetë Kurti, por as Vuçiç, nuk janë deklaruar për idenë e konferencës së përbashkët dhe gjetjen e zgjidhjes aty, duke lënë përshtypjen se për ta, zgjidhja mund të jetë vetë problemi.

360grade.al

Share: