Home KRYESORE SPAKU, kjo “Parti” e Re, përtej të Majtës dhe të Djathtës…

SPAKU, kjo “Parti” e Re, përtej të Majtës dhe të Djathtës…

Nga Artur ZHEJI

Në rrokopujën e debateve, herë pjellore dhe herë shterpe që kanë shpërthyer mbas arrestimit të Malltezit, ngrenë krye shumë tema. Sepse duke parë milionat “legale” të eurove në qarkullim, ndër oligarkë dhe ndër familjarë të politikanëve, po kuptohet gjithmonë e më shumë se ka dy Shqipëri paralele.
Shqipëria e Parë, mbyll muajin me shtrëngesa të mëdha dhe ndjehet e burgosur në luftën e ashpër të së përditshmes.
Shqipëria e Parë bën shoping te “Gabi”, gulçon kur blen bukën dhe ushqimin e përditshëm. Fytyrëtrishtuar shikon me tmerr çmimet që rriten dhe shpesh qëndron e ngurtë dhe e mjerë, pas vitrinave të ndritshme. Shqipëria e Parë, lumturohen kur fëmija e tyre, gjen punë në emigracion, një punë çfarëdo por që paguhet në euro. Është kjo Shqipëri që bëri turizmin të lëvizë hovshëm, duke mbushur rradhët e armatës së pafund të kamarierëve, larësve të pjatave, larësit e makinave apo qërronjësit e patatave dhe qepëve, mjelësve të qumështit apo pastruesve të rërës dhe banakierëve. Pavarsisht se janë të paguar me thërrime, mundohen të hanë edhe ndonjë pjatë gjellë qyl te lokali i pronarit, që të ketë një kokër vezë me shumë për vëllain e vogël apo një palë atlete të përdorura fake, për motrën në moshë fejese…
Të përshkruash këtë Shqipëri që nuk ka zë të flasë dhe nuk jep dot kurrë një konferencë shtypi dhe që më së shumti vuan në heshtje dhe në vetmi të plotë, duhet të kesh një penë gjeniale.
Porse Shqipëria e Dytë është më e thjeshtë për tu përshkruar, sepse është shumë më e dukshme, shumë më e fryrë dhe shumë më pordhace padyshim.
Banorët e kësaj Shqipërie të Dytë, bëjnë festa të mëdha dhe thithin shpesh edhe kokainë të cilësisë së lartë. Porsosisin modën e fundit të teshave dhe makinave dhe rrahin gjoksin me vjedhjet e baballarëve, me trafikimin e suksesshëm të drogës, me ndërtimet e kullave dhe milionat e eurove që i numërojnë si kokrra kikiriku.
Oh, po! Këta banorë të Shqipërisë së super pasur, kanë shije të hollë për gjithshka. Porosisin tulipanë dhe trëndafila nga Hollanda e largët për festat e tyre! Veshin me shije të lartë dhe stilime të rafinuara dhjetëra mijëra eurshe, belin, gushën, pulpat dhe bythët e të përzgjedhurave të tyre.
Hanë tërshërë bio, avokado, lëng frutash, pijnë çaj jeshil 3.000 euro kg, apo konjak të vjetëruar mbi 5.000 euro shishja. Madje ka raste që edhe tualetet, (dmth nevojtoret apo dhjetoret) i veshin së jashtmi me gurë të çmuar zvarovski dhe i përmbytin me aromatizues firmato.
Këto dy Shqipëri, nuk mund të jetojnë përjetësisht në dy dimensione paralele dhe pra, të mos kenë pikëprerje apo përplasje mes tyre! Dhe këtu nuk flas për vjedhjet e vogla të mijëra shërbëtoreve që lajnë halet e familjeve të majmura dhe dembele, por, për një përplasje shumë më të fortë.
Nëse SPAKU, do të ishte sot një Parti politike, do të fitonte sigurisht dhe ndershmërisht shumicën e votave të shqiptarëve.
Përtej të Majtës dhe të Djathtës!
Sepse sot ndarja e “dy Shqipërive”, nuk është ideologjike, por rrënjësisht egzistenciale.
Janë ushtria e madhe e “të Pabuksave”, kryesisht njerëz punëtorë dhe gjithmonë të panginjur me dinjitet dhe siguri jete dhe kjo Shqipëria e grabitqarëve, që më së shumti kanë krijuar pasuri marramendëse përmes dhunës, mashtrimit dhe kërcënimit.
Për të mos lodhur lexonjësin mund ta mbyll me psherëtimën e një taksixhiu, ish biznesmen i vogël i përmbytur nga taksat:
SPAKU sot, na deh më shumë se rakia!
Thënë të gjitha këto, mendoj se duhet gjithmonë të vigjëlojmë që Drejtësia të jetë e drejtë, porse edhe kjo Padrejtësia e pandëshkueshme, le të na hiqet qafe për ca kohë!
Amerikanët kishin të drejtë: Politika nuk vetëpastrohet dot, se është grabitqare e lindur. SPAKU po jep provat e para, përtej të Majtës dhe të Djathtës.
Lajm i mirë ky!

360grade.al

Share: