Home KRYESORE Jamarbër Malltezi lirohet nga burgu, Apeli e lë në arrest shtëpie! Nuk...

Jamarbër Malltezi lirohet nga burgu, Apeli e lë në arrest shtëpie! Nuk ndryshon masa për Berishën

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të lirojë nga burgu Jamarbër Malltezin, duke zbutur masën nga “arrest në burg”, në “arrest në shtëpi”.

Ndërsa për ish-kryeministrin Sali Berisha nuk ka ndryshim mase, thanë burime të gazetares Anila Hoxha që janë prezente në seancë.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj pas mbarimit të seancës tha se beteja për këtë çështje do të jetë e gjatë, ndërsa theksoi se deputeti nuk ka rrezik të largohet nga vendi, pasi dy ditë të javës është në parlament.

“Ndaj Malltezit u caktua masa e arrestit në shtëpi. Kjo çështje mbetet politike, është një gërvishtje, Jamarbër Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti. Kjo çështje është politike, është e pamundur që për çështje të tilla brenda një dite pune të dorëzohet kallëzimi dhe të regjistrohet procedimi penal. Gjykimi dje u karakterizuar nga një gjuhë e drunjtë e prokurorisë. Berisha nuk ka rrezik të iki, dy herë në javë është në parlament. Problemi është ligjor, se ajo kërkesë rrjedh nga një procedurë antikushtetuese. Ditën e enjte kemi seancën tjetër. Beteja do të jetë e gjatë”, tha Gjokutaj.

Sipas vendimit të Apelit të Posaçëm, Malltezi urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë me të.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 21.11.2023, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit S.B. Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit J.M., si më poshtë: Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit J.M., duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të. Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit i të hetuarit J.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, policia gjyqësore pranë saj, si dhe policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin e zbatimit të urdhrave të dhëna të hetuarit nga kjo gjykatë”, sipas njoftimit të Apelit të Posaçëm.

Kujtojmë se më 14 nëntor, avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha dorëzuan në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme ankimimin e plotë ku kundërshtohen vendimet për masën e sigurimit personal “detyrim me paraqitje” dy herë në muaj.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.

Javën e kaluar, përmes avokatëve mbrojtës, ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë.

Të njëjtën kërkesë për shuarje ose zbutje mase dërguan edhe avokatët e Jamarbër Malltezi, i cili është i dyshuar për korrupsion pasiv.

Top Channel disa ditë më parë zbardhi ekskluzivisht vendimin e gjykatës për Sali Berishën dhe kalvarin e oficerëve për t’i dorëzuar masën ish-kryeministrit.

Top Channel

Share: