Home KRYESORE Shqiptari kur jep fjalën, ther djalën…

Shqiptari kur jep fjalën, ther djalën…

Nga Çapajev Gjokutaj

S’di pse m’u kujtua kjo fjalë e urtë sot në mëngjes. Banakjeri sa kishte bluar një grusht kafe dhe aroma e njohur më shpuri në vitet e fëminisë me plaka, qebap, mulli kafeje dhe filxhanë të përmbysur për të lexuar fatin.

Kur po surbja më nge ekspresin, u riktheva prap te proverbi ku shqiptari, për të mbajtur fjalën është gati të sakrifikojë dhe të birin. Solla ndër mend se, bashkë me tri katër proverba të tjera, e kisha mësuar nga një tekst shkollor kur isha në klasë të tretë a të katërt të fillores.

Atëhere admiroja forcën e burrërinë e burrit të proverbit, po kur e shoh me mendjen që kam sot, zë e dyshoj se admirimi im i ka patur rrënjët tek fakti që ashtu, fëmijë shëndetlig, ndihesha i dobët e pasigurt, ndaj kërkoja forcë e siguri tek të parët, tek virtytet e pretenduara të etnisë.

Sintagma ‘virtyte të pretenduara’ krejt mekanikisht më kujtoi Abrahamin dhe gatishmërinë për të therur Isakun, të birin, vetëm e vetëm që t’i dëshmonte Zotit bindje dhe përunjësi.

Virtyt shqiptar apo nevojë universale e shoqërisë njerëzore, qysh nga kohët biblike, për të kultivuar bindje e nënshtrim?

Shijo kafen e mos hyr thellë, se humbet udhën sokaqeve të arsyetimit, thashë me vete, ndërkohë që po hidhja sytë nga dera, në pritje të ndonjërit prej miqve të përditshëm.

( Nga cikli ‘Katakombet e kombit’ )

Share: