Home Gjeo-Ekonomia Situatë dramatike në fabrikat fason: Të tjera shkurtime të vendeve të punës...

Situatë dramatike në fabrikat fason: Të tjera shkurtime të vendeve të punës dhe humbje kontratash

– Fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve pritet të mbartin krizën që nisi vitin e kaluar edhe në vitin 2024, për shkak të vështirësive të krijuara nga kursi i këmbimit dhe rënia e porosive nga jashtë. Pagat nuk do të rriten, nuk do të ketë investime, do të rritet papunësia, kurse rikuperimi pritet të nisë pas 6-mujorit të dytë 2024

Fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve presin rënie të shitjeve, punësimit dhe investimeve edhe për vitin 2024, për shkak të dobësive që ka sjellë kursi i këmbimit, rënia e kërkesës nga jashtë dhe kostot e larta të forcës së punës.

Fabrikat lajmërojnë shkurtim të vendeve të punës nga 20-30% në vitin 2024, kurse pritshmëritë për rikuperim janë të turbullta.

Vështirësitë më të mëdha po i kalojnë fabrikat e këpucëve dhe të veshjeve intime, të cilat kanë humbur konkurrueshmërinë në tregjet europiane. Ulja e porosive ka sjellë rënien e xhirove, ndërsa rënia e euros ka rrënuar fitimet e eksportuesve.

Në janar të vitit 2022, kursi mesatar i këmbimit të Bankës së Shqipërisë ishte 121.5 lekë, ndërsa në dhjetor 2022, me 114.9 lekë, dhe në  fund të 2023-t arriti në rreth 104 lekë.

Florian Zekja, nga Shoqata Pro-Eksport, thotë se rënia e eksporteve çdo muaj është dyshifrore dhe do të vazhdojë e tillë dhe në muajt e ardhshëm, dhe kursi i këmbimit është ndër shkaktarët kryesorë.

Fabrikat presin që të ketë përmirësim në 6-mujorin e dytë të vitit, por vlerësimet vështirësohen nga ecuria që do të ketë në vijimësi kursi i këmbimit.

“Kam pasur reduktim me 30% të xhiros, për shkak të tkurrjes së porosive në nivel global dhe po ashtu, disa muaj kemi operuar në humbje, e kombinuar kjo me efektin negativ të Euro.

Vetëm në tremujorin e fundit kemi kaluar në fitim të vogël”, – tha Eva Laro, nga kompania e prodhimit të këpucëve “ProDyn”, një nga më të mëdhatë në vend.

Punësimi, rënie dyshifrore në vitin 2024

Fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve presin që punësimi të pësojë rënie dyshifrore në vitin 2024. Rënia më e madhe do të jetë në qarqe se sa në Tiranë. Gjergj Leqejza, i cili zotëron një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të veshjeve në Shkodër, “Albania Tricot”, po planifikon të shkurtojë rreth 18% të punonjësve në vitin 2024.

Ai tha kursi i këmbimit ka ndikuar në rënien të ardhurave, teksa kontraktori italian i veshjeve intime, “Cotonela”, po redukton porositë në Shqipëri. Fabrika e “Cotonela” në Shkodër, që ishte më e madhja jashtë Italisë, tani është bërë jokonkurruese në çmime, për shkak të rritjes së pagës minimale me rreth 30% brenda vitit dhe rënies së vlerës së euros me 9% në vitin 2023.

Sektori i industrisë përpunuese punëson rreth 71 mijë persona me pagë. Por numri i tyre pritet të reduktohet më tej në vitin 2024, si pasojë e krizës në sektor dhe faktorit demografik që po shkurton forcën e punës në mënyrë natyrale në njësitë e prodhimit të bazuara në krahun e punës.

Kryetari i Shoqatës Pro-Eksport, Edvin Prençe, tha se ecuria e punësimit në sektorin fason do të jetë shumë dramatike dhe do të ketë ndikim social, sidomos në zonat rurale ku nuk ka aktivitete të tjera ekonomike përtej sektorit manifakturë të veshjeve dhe këpucëve.

Shoqata po përballet çdo ditë me njoftime për rënien e punësimit sidomos në rrethe. Në Korçë, Shkodër dhe Fier ka të dhëna për mbylljen e shumë njësive të prodhimit dhe rritje të papunësisë gjithashtu.

Në qarqe ka një rrjet të vogël linjash prodhimi dhe nuk ka mundësi që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën si në Tiranë, ku një fabrikë e vogël mund të marrë punë nga një më e madhe.

Shkurtimet nga puna do të jenë më të mëdha në fabrikat e vogla, të cilat do t’i ndiejnë më shumë efektet e krizës. Ato zakonisht punojnë si nënkontraktorë dhe do të mbyllen të parat kur furnitori përballet me rënie.

Punësimi në bizneset e industrisë hyri në krizë që në tremujorin e tretë të vitit 2022, kur rënia nisi me 0.2% pas një rritje me rreth 7% gjatë gjithë vitit.

Përveç këtyre vështirësive, sektori i industrisë po vuan mungesën e fuqisë punëtore. Për shkak të kushteve më të vështira dhe pagave rreth niveleve minimale, punonjësit e industrisë po zhvendosen drejt sektorëve të tjerë me paga më të larta.

Ngjarjet pas luftës në Ukrainë, përveç çmimeve të larta, kanë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit në Europë dhe tashmë shumë klientë europianë po kërkojë të zhvendosin prodhimin në vende të tjera si Uzbekistani, India dhe Afrika e Veriut.

Kjo tendencë ka sjellë uljen e porosive në fabrikat shqiptare, duke bërë që disa nënkontraktorë në industrinë e tekstilit të këpucëve të falimentojnë.

Investimet ndalin

Edvin Prençe, nga Shoqata Pro-Eksport, thotë se investimet janë dhe do të vazhdojnë të jenë të bllokuara, duke pasur mungesë të theksuar likuiditeti.

Eva Laro, nga “Prodyn”, tha se investimet në mënyrë absolute janë në rënie për vitin 2023 dhe situata do të jetë e ngjashme edhe në vitin 2024.

Pas një kërkese të pazakontë nga jashtë menjëherë pas pandemisë COVID-19, fabrikat shqiptare u përballën me një fluks pune për të cilin nuk kishin punonjës. Pothuajse të gjitha fabrikat investuan në makineri, mekanikë, robotikë për të ulur varësinë nga njerëzit.

Shumë kompani nisën të mbyllnin ciklin dhe filluan përpjekjet për të prodhuar për një nivel të lartë klientësh. Mirëpo kriza që solli kursi i këmbimit rrënoi planet për investimet. Florian Zekja, nga Shoqata Pro-Eksport, tha se nuk parashikohen investime të reja në vitin 2024.

Pagat nuk do të rriten

Fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve nuk kanë plane për rritjen e pagave të punonjësve në vitin 2024, për shkak të vështirësive që ka krijuar rënia e shitjeve dhe tkurrja e aktivitetit në tërësi. Paga minimale nga 30 mijë lekë në janar 2022 arriti në 40 mijë lekë në prill 2023, nëpërmjet tre vendimeve.

Paga minimale në vendin tonë përcaktohet me vendim qeverie, ndaj rritja me 30% e saj në harkun e 15 muajve dhe e pakonsultuar i gjeti të papërgatitura fabrikat, të cilat po përballeshin ndërkohë me humbjet që po krijonte rënia e euros.

“Pagat janë temë shumë e ndjeshme. Sipërmarrësit e sektorit sigurisht dëshirojnë për punonjësit e tyre që të kenë paga sa më të larta, por ka një limit dhe duhet modernizim i impianteve prodhuese dhe orientim që bizneset të kenë mundësi për rritje pagash.

Të rritet produktiviteti, të rishikohet taksimi, të rritet numri i klientëve dhe të diversifohet prodhimi. Këto gjëra nuk kanë ndodhur, madje e kundërta. Sektori nuk është në gjendje të mbajë rritje të tjera të pagës, atë çfarë ka pasur mundësi e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë si një vend me ekonomi të lirë tregu”, – tha zoti Prençe.

Znj. Laro, nga fabrika “ProDyn”, tha se, rritja e pagave ka pasur ritme tepër të shpejta në dy vitet e fundit, duke na rritur kostot me ritme të shpejta” Ajo shtoi se nëse qeveria nuk rrit sërish pagën minimale, nuk do të ketë rritje pagash nga bizneset fason vitin që vjen.

Planet e rikuperimit të mjegullta, shpresë në 6-mujorin e dytë të vitit

Parashikimet për rikuperim të fabrikave të fasonit janë të mjegullta këtë herë.

Eva Laro tha se, goditjet e shumëfishta me të cilat u përball industria në dy vitet e fundit do ta bëjnë të vështirë rikuperimin. Sipas saj, pritet përmirësim i porosive në mars të vitit 2024, por në shtator, kjo mund të reflektohet në volume më të larta të punës.

Skënder Pashaj, i cili zotëron fabrikën e prodhimit të këpucës “Fital”, thotë se krizat e mëparshme kanë treguar se, kur konsumatorët preken nga inflacioni, tkurrja e konsumit e prek së tepërmi këpucën.

Frenimi i porosive ka nisur që vitin e kaluar dhe ka vazhduar gjatë gjithë këtij viti, duke i bërë të vështira projeksionet e biznesit për rikuperim, shprehet ai.

“Për sa i përket së ardhmes, mendoj se nuk kemi një situatë të qartë në afatshkurtër, sepse po fillon dhe ndihet dhe efekti psikologjik i kësaj pikiate”, shprehet z. Zekja.

Sipas tij, duhet reaguar shpejt sepse po shkohet drejt shkatërrimit të produktit “Made in Albania” dhe po humbet dita-ditës ajo pjesë e tregut vendas apo të huaj të cilin prodhuesit kishin arritur të fitonin me shumë sakrifica.

Z. Prençe thotë se deri në muajin shkurt 2024, situata do jetë e ngjashme dhe parashikohen shumë shkurtime të vendeve të punës dhe humbje të kontratave aktuale dhe nuk shihen premisa të mira për kontrata/klientë të rinj.

“Viti 2024 do të jetë i vështirë për fasonin”

Flet Kryetari i Shoqatës Pro-Eksport, Edvin Prençe

Kryetari i Shoqatës Pro-Eksport, Edvin Prençe, thotë industria fason do të përballet me vështirësi edhe në vitin 2024, për shkak të dobësive të krijuara nga rënia e euros, e kombinuar me rënien e porosive nga jashtë dhe rritjen e pagës minimale me 30% brenda vitit.

Do të ketë largime nga puna, mungesë investimesh, rënie të eksporteve, kurse rikuperimi pritet të nisë në 6-mujorin e dytë të vitit.

Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit tuaj këtë vit në aspektin e xhiros dhe fitimeve?

Për sektorin, viti 2023 ka qenë për t’u harruar, për një mori problemesh që, në mënyrë transparente, revista juaj i ka pasqyruar. Të dhënat në vlerë e përqindje e kanë treguar më së miri.

Si ka ndikuar kursi i këmbimit dhe fuqia punëtore në aktivitetin gjatë vitit 2023?

Kursi i këmbimit, me një luhatje që për vitin 2023 ka qenë një zhvlerësim prej 16%. Duke ditur që edhe aktiviteti ynë ekonomik nuk të lë hapësira ose marzhe fitimi të larta, vetëkuptohet që jemi në kolaps total.

Si parashikoni të jetë rritja/rënia e aktivitetit në sektorin tuaj në vitin 2024?

Deri në muajin shkurt 2024, situata do të jetë e ngjashme dhe parashikohen shumë shkurtime të vendeve të punës dhe humbje të kontratave aktuale dhe nuk shihen premisa të mira për kontrata/klientë të rinj.

Si parashikohet të jetë ecuria e punësimit, investimeve dhe eksporteve në vitin 2024?

Ecuria e punësimit do të jetë shumë dramatike, duke pasur edhe ndikim social dhe sidomos në zonat rurale, ku aktivitete të tjera ekonomike, përtej sektorit manifakturë të veshjeve dhe këpucëve, nuk ekzistojnë, dhe parashikimi është i kuptueshëm për të gjithë.

Investimet janë dhe do të vazhdojnë të bllokuara, duke pasur mungesë të theksuar likuiditeti dhe kjo së bashku me humbjen e kontratave të reja, humbjen e konkurrueshmërisë nga rritjet e kostove dhe kursit të këmbimit, politikat ose më mirë, mosveprimet e institucioneve për të mbështetur eksportuesit, duke krijuar për pasojë trendin që po shihet, të fikjes, agonisë ekonomike që sektori po përjeton.

Si po e rimodeloni aktivitetin nën presionin e zhvillimeve të brendshme (kursi i këmbimit dhe paga minimale) dhe zhvillimeve të jashtme (porositë dhe çmimet)?

Sektori nuk po mendon e as nuk shpreson më. Është e kuptueshme dëshira politike dhe mendimi i opinionit që ky sektor e ka mbaruar fazën e tij.

Mendim dhe perceptim shumë i gabuar që më vonë do të kuptohet, sepse ky sektor “Made in Albania” duhet të jetë vlerë e shtuar për ekonominë tonë, duhet të diversifikohet, të bëhet prodhues dhe të ketë zërin e tij në tregun botëror.

Por të vetëm, pa politika zhvillimi dhe duke shtuar interesat ekonomike që ndërthuren për të gjetur rrugë për fitime të shpejta dhe jo të qëndrueshme do të na bëjnë edhe më të varur dhe viktima të importit, si në këto mbi 30 vite demokraci.

Industritë e lehta, manifaktura dhe shumë të tjerë i japin forcën ekonomike që detyrimisht Shqipëria duhet të ketë dhe të keni vendin që meritojmë në tregjet botërore.

Çfarë planesh keni për pagat?

Pagat janë temë shumë e ndjeshme. Sipërmarrësit e sektorit sigurisht e dëshirojnë për punonjësit e tyre, që të kenë paga sa më larta, por ka një limit dhe duhet modernizim i impianteve prodhuese dhe orientim, që bizneset të kenë mundësi për rritje pagash.

Të rritet produktiviteti, të rishikohet taksimi, të rritet numri i klientëve dhe të diversifikohet prodhimi.

Këto nuk kanë ndodhur, madje e kundërta dhe pikërisht këto çojnë dhe shpresohet në një reflektim nga ana e qeverisë, që gjërat bëhen në bashkëpunim dhe jo me vendime unilaterale. Sektori nuk është në gjendje të mbajë rritje të tjera të pagës.

Atë çfarë ka pasur mundësi e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë si një vend me ekonomi të lirë tregu./MONITOR

Share: