Home KRYESORE Altin Dumani në auditorin e Argita Malltezit/ Kreu i SPAK në një...

Altin Dumani në auditorin e Argita Malltezit/ Kreu i SPAK në një bashkëbisedim me studentët në Fakultetin e Drejtësisë

Altin Dumani sfidoi Argita Berishën, në vendin e saj të punës.

Kreu i SPAK-ut zhvilloi një vizitë në auditoret e drejtësisë në të njëjtën kohë që vajza e Sali Berishës, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, mbajti një konferencë në mbrojtje të të atit dhe kundër institucioneve të drejtësisë.

Në takimin me studentët e juridikut, Dumani ka përcjellë mesazhe inkurajuese për ta, teksa i bëri thirrje publikut për të denoncuar të korruptuarit. Në fjalën e tij mbi rolin dhe funksionin e SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kryeprokurori iu drejtua studentëve se e vlerësonte këtë takim, duke e konsideruar si një komunikim me kolegët e tij të së ardhmes. Ai u shpreh se “është pikërisht kjo përgjegjësi qytetare, por dhe institucionale që ndjej për të komunikuar me ju sot si juristë të së ardhmes dhe ta marrë me shumë seriozitet këtë takim”.

Altin Dumani bëri një paraqitje të rolit dhe funksionit të SPAK, duke u ndalur te kuadri ligjor, i cili garanton pavarësinë e këtij institucioni, duke theksuar nevojën për shtim personeli, mjetet speciale të hetimit dhe për pavarësi të garantuar. Dumani u ndal te BKH dhe sektorët e brendshëm të SPAK, duke nënvizuar strategjinë e ndjekur nga SPAK në lidhje me hetimin e pastrimit të parave që tashme aplikohet për çdo hetim të veprave penale, në kuadër të korrupsionit dhe krimit të organizuar, Dumani tregoi se vlera  e aseteve të sekuestruara llogaritet në 43 milionë euro. Ai cilësoi se numri i sekuestrimeve dhe konfiskimeve në vitin 2023 është rritur ne mënyrë të konsiderueshme.

Në fund të bisedës së tij, Dumani u ndal te qasja ndaj luftës kundër korrupsionit, e cila sipas tij është një betejë, e cila duhet të bëhet nga të gjithë. Kjo luftë nuk mund të kryhet vetëm nga SPAK, por në çdo qelizë të shoqërisë. Ai theksoi se të gjithë kemi përgjegjësinë të mbrojmë institucionet tona nga korrupsioni.

“Edhe ju si studentë të drejtësisë keni përgjegjësinë e denoncimit të korrupsionit në institucionet arsimore, sikurse ka çdo funksionar dhe çdo qytetar detyrimin ligjor ta bëje atë për institucionet ku ai punon, përfshi dhe SPAK. Është nevoja për pavarësi të garantuar në punën tonë si dhe për pasurimin e personelit dhe mjeteve speciale të hetimit”, mësohet të ketë thënë kreu i SPAK-ut në ambientet universitare.

Top Channel

Share: