Home KRYESORE Jemi më të lirë apo më të vetmuar?

Jemi më të lirë apo më të vetmuar?

Nga Çapajev Gjokutaj

‘Nga je?’, pyesim sot kur duam të dimë qytetin, fshatin a krahinën ku ka lindur a banon bashkëbiseduesi. Rrallë e më rrallë, përdoret versioni ‘Nga të kemi?’, që në fëmininë time ishte mbizotërues.

Në fakt edhe ‘Nga je?‘ edhe ‘Nga të kemi?’ kërkojnë të njëjtin informacion nga tjetri. Por versioni i dytë përcjell edhe një mesazh plus: dëshirën për ta afruar të porsanjohurin duke e quajtur tëndin.

Sa më shumë kalon koha, them me vete, aq më të ftohtë bëhemi me tjetrin, aq më shumë zhytemi në vetminë tonë.

Kur e mendoj thellë, problemi rezulton më i ngatërruar. Mbase nuk është punë vetmie e egoizmi. Pesë poshtë, pesë lart, njeriu, jo si individ, po si specie, mbetet po ai, nuk ndryshon. Ato që ndryshojnë janë rrethanat.

E në rrethana të ndryshme njeriu sillet ndryshe. Sipas vendit dhe kuvendi. Jo njësoj dhe në dasëm dhe në ksodh, dhe në mbledhje me eprorët, dhe në kafene me shokët.

Të parët kërkonin sa më shumë lidhje, se jeta ishte e varfër dhe tjetri lypsej më shumë. Duhej të kishe patjetër marrje e dhënie me komshiun psh, që të të gjendej qoftë për të huajtur farë kosi a një filxhan kripë.

Sot i ke të gjitha në market dhe marketin e ke pranë shtëpisë, hapur deri në orët e vona të natës. Ndaj dhe ndodh të mos i dish as emrin komshiut të tre kateve më sipër. Pa le të kërkosh miqësi nga një i porsanjohur.

Po mbase ndikon dhe një faktor tjetër. Dikur mungonin televiziorët e radiot, gazetat ishin të pakëta dhe shumica e njerëzve s’dinin shkrim e këndim. Doemos kishte uri për informacion.

E një i porsaardhur mund ta zbuste këtë uri, të të molloiste ç’bëhej e ç’thuhej andej nga vinte.

Sot shtrirë në divan, veshur si të ta ketë ënda, me pizhama a gjysëm lakuriq, mund të marrësh vesh edhe ç’ndodh në anën tjetër të botës. Të mjafton telekomanda. Zonjë grua, e gatshme të shërbejë në çdo çast, pa të kërkuar gjë😜 Ç’të duhet tjetri që mund të ketë një mijë e një huqe? Aq më keq një i panjohur…

Po s’përjashtohet edhe një faktor thjesht gjuhësor. Shqipja bashkëkohore ka hequr e po heq dorë nga trajta gramatikore emfatike. Bashkë me ‘nga të kemi’, kanë dalë nga përdorimi dhanorja etike, po kufizohet dëshirorja e po rrallohet përditë e më shumë habitorja etj.

Ndërkohë që meditoj, Dodo vjen e më fërkohet tek këmbët. E ndjen të nevojshme ta bëjë këtë disa herë në ditë. Thjesht për të shprehur afeksion, se i gjalli, njeri a kafshë qoftë ka nevojë për tjetrin, si prani, si marrëdhenie, si ndjenjë. Si dëshmi ekzistence në fund të fundit…

Share: