Home KRYESORE Kosova dhe Shqipëria, pa një mendje kritike, kreative e imagjinative, e ka...

Kosova dhe Shqipëria, pa një mendje kritike, kreative e imagjinative, e ka kot integrimin!

Nga Fadil Maloku

  1. Bota shqiptare sot është pothuajse e privuar totalisht nga një qasje intelektuale për fenomenet dhe proceset nëpër të cilat po gjëmon si Kosova ashtu edhe Shqipëria. Në fakt, ekziston një bollëk akademikësh dhe burokratësh, profesionistësh dhe studiuesish, madje edhe një mori shkencëtarësh dhe teknologësh që dosido me të arriturat e tyre intelektuale kanë bërë emër brenda dhe jashtë, por që figurojnë vetëm me mungesën dhe indiferencën e tyre totale. Sociologjikisht, mund të thuhet se kjo po ndodh edhe për shkakun se shoqëritë tradicionale, që përfituan nga mbijetesa e tyre përmes figurave klasike e historike dosido ishin në thelb antiintelektuale, e për të mos thënë herë herë edhe antikombëtare…!
  2. Themi kështu, ngase, shumica e formave dominuese të mendimit kreativ në periudha të historisë e shoqërisë shqiptare, ishin ndërtuar, rindërtuar diku diku edhe amputuar jo përmes normave dhe parametrave standarde të akademizmit të njëmendët, po përmes servilizmit ideologjik apo edhe poltronizmit mediokër sociopolitik. Në fakt duhet thënë troç; “odisejadat” e formimit të tyre intelektual, ishin armiqësisht anti-intelektuale. Pse e themi kështu? Një arsye e fuqishme duket se “banon” ende te imitimi i verbër i normave dhe standardeve kulturore të pushtuesve jo të pakët gjatë historisë sonë të mëkëmbur e të nënshtruar. Histori kjo që në vend që të “prodhoj” ide, koncepte e korniza me dimensione gjithëkombëtare, u vetëkënaq përkohësisht me imitimet dhe mentalitetin e të qenit rob i sistemeve vlerore të huaja. 
  3. Pra, mungesa e tipit të intelektualit largpamës, bëri që ata në emër të përshtatjes së sistemit vleror të huaj, të mos arrijnë të dalin nga lëvozhga e normës dhe ndikimit nënshtrues. Tragjika e këtij perceptimi miop dhe historie të akomodimit dhe përshtatjes me sistemet vlerore për rreth, na ka bë që edhe sot e kësaj dite kemi mbetur në të njëjta “koordinata” servile e poltroniste! Mungesa e tmerrshme e intelektualëve në shoqëritë aktuale shqiptare mund të sqarohet edhe me faktin se edhe ata pak “pretendent” që ekzistojnë, e kanë tradhtuar misionin e tyre fisnik; ata edhe sot në vend që të fillojnë të ndërtojnë vizionin për të ardhmen e kombit dhe shtetit gjithë shqiptar, vetëkënaqen me avokime ideologjike e me gjyqësi shekullariste të kohës…
  4. Në definimin e intelektualit largpamës shqiptar, ne duhet së pari të bëjmë të ditur se nuk po themi që ky tip intelektuali është apo duhet të shndërrohet në një krijesë mitike e tëhuajsuese që aspiron e udhëhiqet ekskluzivisht nga joshjet dhe ngarkesa praktike e pragmatike që i servon politika dhe bartësit e saj, por, për një tip që e kupton dhe e emancipon boten reale dhe në bazë kësaj përvoje e ndërton, e skicon e kornizon po edhe e projekton rolin dhe të ardhmen e kombit dhe shtetit tonë të përbashkët. Intelektualit të sotëm shqiptar nuk duhet t’i interesojnë idetë e reja krative për hir të vetë ideve si nevojë sublime, por, duhet të hulumtoj ide të reja që qojnë kah reformat dhe ngritja e mendimit dhe kriticizmit social, gjykimit politik, synimeve gjeopolitike dhe ambicieve gjeostrategjike të kombit. 
  5. Dhe këtë mision intelektuali shqiptar, mund dhe duhet ta ushtroj  pavarësisht ndikimeve ditore, me një qëndrim butësisht kurioz e rreptësishtë vizionar. Intelektualit të ditëve tona, po ashtu, nuk i duhet fuqia politike e ideologjike për t’i realizuar këto ide fisnike kombëtare e shtetërore, sepse, ai këtë duhet ta ndjejë jo si detyrë obligim, por si detyrim kombëtar e shtetëror. Ku elitave aktuale politike duhet t’u hap përveç syve e mendjen edhe senzorët e intuitës. Atij sot i duhet që në “xherdanin” e vet të qëndisë si “menynë” praktike e pragmatike, ashtu edhe një “road map” udhërrëfyese kombëtare për politikanët servil e konformist që u frikësohen Projektit madhor të bashkimit dhe unifikimit të potencialeve (ekonomike e ushtarake) të kombit. Dhe e gjithë këto parapërgatitje, duhet të futën në funksion të kalkulimeve milimetrike të sfidave gjeopolitike e gjeostrategjike… që kanë filluar të lëvizin me shpejtësi drite.
  6. Thënë edhe më thjesht; Ata nuk duhet të gëzojnë vetëm mendje përvetësuese e analitike, porse edhe mendje kritike, imagjinatave, kreative, e transformuese… Në thelb, “proletariati akademik” dhe “ai politik”, kur janë në pyetje interesat kombëtare e shtetërore, nuk është mirë të qëndrojnë indeferent dhe të presin zgjidhje për temat tona vetëm nga qendrat vendimarrëse ndërkombëtare. Ata duhet të shndërrohen në nismëtar të padiskutueshme të Projekteve madhore. Sepse, kemi ende fërkime e polarizime evidente politike, fetare e sidomos sosh ndëretnike (me serbët). Dhe është e pamundur të fitohen këto “beteja” pa qendrat globale vendimarrëse, anipse, edhe atyre u janë luhatur si interesat ashtu edhe fuqia e ndikimit mbi partnerët dhe aleatët e mëhershëm.
  7. Poashtu, duhet “mirëkuptuar” se kalimi nga socializmi shtetëror në kapitalizmin postkomunist në shoqëritë shqiptare, sidomos në Kosovë ka hapur shumë plagë socioekonomike po edhe ka krijuar shumë tensione politike me Serbinë. Ambient ky që “aristokracia” shkencore postkomuniste shqiptare përkundër sfidave të shumta nuk arriti të ndërtoj një diskurs të ri, një vision të qartë e ambicioz ku do të shfrytëzoheshin racionalisht të arriturat e ndikimit vleror perëndimor në këto dekadat e shkuara në trojet shqiptare. Ajo në vend të kësaj u mbyll dhe u vetëkënaq në “kështjellën” e privilegjeve dhe ambicieve statusore e ekonomike e politike. Botën sot janë duke e udhëhequr teknokratë të zhveshur tërësisht nga ndjenja kombëtare, ajo sociale, fetare e sidomos ajo politike! I vetmi tipar që ende u ka”mbijetua” këtyre teknokratëve megaloman është dhe mbetet edhe për një kohë identiteti kulturor vleror që po e mbindërton globalizmi si ideologji…
Share: