Home KRYESORE Lubonja: Ja pse do deshtoje nisma e ambasadorit Lu!

Lubonja: Ja pse do deshtoje nisma e ambasadorit Lu!

Nga Fatos Lubonja

“Në vitin 1991 kam pasur rastin të jem pjesëtar i një takimi që bëri James Bakeri me një grup përfaqësuesish të partive dhe shoqatave opozitare gjatë vizitës së tij të famshme që kujtohet më së shumti për faktin se Sheshi Skënderbe s’kishte parë ndonjë turmë të atillë në mitingun e organizuar nga PD ”“ ndoshta që nga koha e vdekjes së Stalinit. Më kujtohet se në atë takim, që u bë në Hotel Dajti, njëri nga politikanët që ishin aty, kur mori fjalën, i tha Bakerit vetëm këto dy fraza: “Ne prisnim Mesian. Mesia erdhi.”

Kemi qeshur shumë atëherë duke treguar këtë histori me një grup miqsh. E kujtoj si një qeshje me veten, me kondicionin infantil ku na kishte katandisur izolimi gjysmë shekullor. Por ja që, fatkeqësisht, më është kujtuar shpesh kjo e qeshur edhe këto ditë duke parë infantilizmin me të cilin po e trajton shtypi shqiptar ambasadorin Lu kur ky flet në fushatën që ka marrë përsipër të udhëheqë për të shpëtuar Shqipërinë, nëpërmjet reformës në dreqësi ”“ sikur të ishte Mesia që priste miku im një çerek shekulli më parë. Dhe mendimi që më ka ardhur më shpesh ndërmend është: mos vallë që nga ajo kohë e këtej në vend se të piqemi e të bëhemi më inteligjentë jemi infantilizuar e debilizuar edhe më shumë?

Lubonja shkruan se “për secilin ambasador mund të kujtosh gafa e gabime që i kanë nxjerrë zbuluar ngjarjet që kanë ndodhur më pas”:

“…Megjithë respektin që kemi ruajtur për mjaft vlera të demokracisë amerikane kemi pasur po ashtu mundësi të shohim se jo çdo gjë shkon si në më të mirën e botëve në SHBA. Kemi parë se brenda vendit amerikanët kanë gjithnjë e më pak besim në institucionet e tyre pasi gjithnjë e më shumë jetojnë në një sistem që politologu amerikan Colin Crouch e quan postdemokratik ”“ ku 1%-shi ka më shumë peshë në vendimmarrje sa 99 %-shi. Si rezultat i kësaj, së fundi, po shohim se një trap si Donald Trump rrezikon të bëhet president i SHBA-ve. Kemi parë se duke dashur të eksportojnë demokracinë (ose të paktën duke përdorur këtë parullë) amerikanët kanë shkaktuar katastrofa të vërteta në Lindjen e Mesme si në Irak, Afganistan, Siri, Libi. Por edhe në politikat në Shqipëri kemi parë se shpesh nuk kanë shkëlqyer. Për secilin ambasador mund të kujtosh gafa e gabime që i kanë nxjerrë zbuluar ngjarjet që kanë ndodhur më pas. Pa hyrë në hollësira, pra, dua të them se kemi pasur goxha material për te parë me mendje më kritike edhe angazhimin e tepruar të Lu-së për reformën në drejtësi ”“ thotë Lubonja

Lubonja ngre pyetjen “përse atëherë gjithë ky ekzaltim për çdo fjalë që nxjerr Lu nga goja?”. Dhe përgjigjet po vete:

“Pjesërisht mendoj se infantilët që, si miku im i atëhershëm, vazhdojnë të presin Mesian, kapen si i mbyturi pas fillit të kashtës tek shpëtimtari që vjen nga jashtë. Kurse kur vjen puna për politikanët dhe mediet këtu mesianizmi i Lu-së duhet parë ndryshe. Këtu s’kemi të bëjmë vetëm me infantilë, debilë apo naivë. Këtu kemi të bëjmë edhe me rrufjanë që e dinë shumë mirë se ambasadori funksionon prandaj duhet përdorur, veçanërisht për të manipuluar infantilët…

Ndërhyrja e ambasadorit Lu ”“ dhe e shumë të huajve të tjerë në punët tona të drejtësisë, që kanë mbërritur deri në deklarimet e disa ambasadorëve se duhet pushuar nga puna e tërë skorta e gjyqtarëve shqiptarë ”“ flet se ne nuk jemi një shtet demokratik i së drejtës, por më së shumti një regjim i së padrejtës. Jo vetëm pse në një vend ku nuk ka drejtësi nuk mund të ketë as edhe demokraci, por edhe sepse vetëm në vende të tilla amerikanët i lejojnë vetes të bëjnë ndërhyrje të tilla në punët e brendshme. Pra jemi në një regjim që dikush e quan oligarkik, dikush bandokratik, dikush shtet i kapur nga mafja, ku një gjë është e sigurt përtej epiteteve: se kasta në pushtet gëzon pandëshkueshmëri të plotë edhe pse është e ngarkuar deri në grykë me vjedhje dhe abuzime…”

Ai, Lubonja thotë se “reforma është e destinuar të dështoj딝 dhe krahason me Kosovën:

“…Dikush mund të thotë se lëvizjen politike kundër kastës po e bëjnë ambasadorët në Shqipëri. Nuk mohet se ajo që po bëjnë ata është politikë, presion politik. Por që këtë presion ta quash lëvizje nuk ka gjasë ta mendojë kush. Në fakt është gjëja më antilëvizje dhe më antidemokratike që mund të mendohet sepse jo vetëm diktohet nga lart poshtë në mënyrën më elitare por, sikurse e thashë, drejtohet edhe kundër një targeti sekondar, prandaj të gabuar. Dhe si e tillë është e destinuar të dështojë. Kush nuk e beson këtë që po them le të shikojë Kosovën ku të huajt, megjithëse kanë pasur dhe kanë shumë më tepër pushtet sesa në Shqipëri, po bëjnë një vërrë në ujë kundër korrupsionit të kastës në pushtet. Madje gjithnjë e më shumë akuzohen se janë korruptuar prej saj…”

Lubonja mendon se Rama po përpiqet “t’i shesë opinionit” versione të paqena me “tellallët e tij”:

“Një varianti i dytë është që ambasadorë besojnë se në Shqipëri lëvizja politike antikorrupsion është Rilindja e Edi Ramës, por se ajo do edhe një dorë nga jashtë që të kryejë pastrimin e kastës së të korruptuarve të përbërë nga partia e Sali Berishës dhe partia e Ilir Metës. Sipas meje këtë variant kërkon t’i shesë Rama opinionit brenda dhe jashtë vendit me tellallët e tij jashtë dhe brenda vendit duke krijuar një klimë mbytëse për këdo që ve në dyshim reformën, apo kërkon thellim dhe debat. Mirëpo kjo bije ndesh me faktin se Rama dhe rilindasit e tij kanë të njëjtën dashuri për korrupsionin si ajo që ka Berisha e Meta me të tijtë, në mos edhe më të madhe, çka ne shqiptarët e thjeshtë jo vetëm që e dimë çprej kohës kur Rama drejtonte Bashkinë, por e kemi parë edhe kur e mbushi Parlamentin me kriminelë dhe po e shohim përditë edhe sot me tenderat dhe koncesionet ku 47% janë bërë me prokurim të drejtpërdrejtë ”“ gjë që s’ka bërë vaki as në kohën më të errët të korrupsionit në Shqipëri…”

Ai shton se reforma ashtu siç po kërkohet të kryhet “mund të na çojë një “pastrim” të Shqipërinë nga armiqtë e klasës ”“ bandës, por mund të na çojë edhe drejt një destabilizimi”

“…sepse do të doja ta shikoja një Ramë që, pasi merr në dorë koburen e drejtësisë me ndihmën e ambasadorëve, guxon të shtijë vërtet me të për të vrarë Metën, Berishën e gjithë ata rrotull tyre. Do të doja të shihja edhe se cilët janë ata prokurorë dhe gjyqtarë që do të marrin përsipër një selektivitet të tillë. Është një skenar i njohur ky për ne, që dikur, me dashje apo pa dashje, e ka gatuar edhe një azmbasador tjetër amerikan, Rajersoni. Si përfundim, duke pasur parasysh gjithë sa thashë mendoj se është naivitet dhe padituri të besosh sot se në Shqipëri disa prokurorë apo gjykatës, që nuk u dimë as emrat do tu bëkan, befas, nëpërmjet një reforme, kaq të fuqishëm saqë të fillojnë të ndryshojnë gjendjen e vendit duke e pastruar atë nga krimi dhe kriminelët në politikë, media, ekonomi… “- shkruan ai.

Lubonja mendon se gjendja e vendit ndryshon vetëm me “institucione të demokracisë të pavarur që kontrollojnë njëri tjetrin” jo me aksione, as me individë.

“Përndryshe, shumë shpejt pas Lu-së, si infantilët dhe rrufjanët do të fillojmë të presim një tjetër mesi amerikan me tjetër emër ”“ e mbyll ai shkrimin e gjatë në gazeten Panorama.

Share: