Home KRYESORE Zbulohet dëshmia e vartësit që “fundosi” ish-drejtorin e burgjeve: “Më thirri në...

Zbulohet dëshmia e vartësit që “fundosi” ish-drejtorin e burgjeve: “Më thirri në zyrë dhe…”

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve Artur Zoto u arrestua pasditen e kësaj të marte i akuzuar për korrupsion. Prokuroria për Krimet e Rënda dyshon se ai ka abuzuar me tenderat për ushqimet në burgje. Në korrik të 2016-ës u arrestua për të njëjtën çështje edhe Iljaz Labi, zv.Drejtor i Burgjeve. Lapsi.al mëson se gjatë marrjes në pyetje zv.drejtori Labi tha se për kryerjen e tenderit e kishte urdhëruar shefi i tij.

“…sqaroj se për këtë procedurë, unë jam vënë në dijeni në mënyrë rastësore, duke qënë se nuk është në kompetencat e mia. Më thirri Drejtori i përgjithshëm në zyrë një ditë dhe më tha se po hapej një procedurë tenderimi për ushqimet. Më tha që kemi këtë procedurën që do e bëjmë me negocim. Kam biseduar me operatorët dhe do të merresh ti më këtë punë. Në këto kushte unë mora dijeni për këtë procedurë dhe fillova të interesohem për subjektet konkurruese. Konkretisht, duke qenë se unë nuk kisha marrëdhënie dhe njohje me operatorët, drejtori, Artur Zoto më tha që të takoja shtetasin Ylber Kalaja, me të cilin unë kisha pak njohje, për të biseduar në lidhje me këtë çështje, duke më thënë se e dinte Ylberi sesi do të vepronte. Kam kontaktuar me shtetasin Ylber Kalaja dhe kam biseduar me të në lidhje me procedurën që do të kryhej”- ka dëshmuar Labi në prokurori.

Gjithsesi prokurorët thonë se ka edhe të tjera prova që faktojnë përfshirjen e drejtorit Zoto në këtë aferë përveç dëshmisë së vartësit të tij. Për Labin ka filluar gjyqi për akuzën e korrupsionit pasiv. Për këtë çështje u arrestuan edhe 4 biznesmenë të cilët bashkëpunonin me njeri-tjetrin për të paracaktuar fituesin në tender. Sipas hetimeve ata kishin paguar rreth 20 milion lekë të vjetra tek numri 2 i burgjeve. Por nga hetimi prokurorët faktuan edhe përfshirjen e drejtorit Zoto i cili u prangos nga policia e shtetit me urdhër të prokurorisë dhe pasi gjykata vendosi masën e arrestit me burg./lapsi.al/

Share: