Home KRYESORE Si mund te kthehet Lulzim Basha nga kryetar në Misionar…

Si mund te kthehet Lulzim Basha nga kryetar në Misionar…

Nga Bojana Fatkoja

Brilante analiza e Fevziut. Uroj të jetë një zë i fortë në veshët e kryetarit Basha…

Partia Demokratike nuk duhet të mbetet projekti i nisur 25 vjet me parë dhe i pa realizuar asnjëherë deri më sot. Me ardhjen e Bashës në krye të saj, ish të persekutuarit e te përndjekurit politikë, ashtu si dhe Studentët e Dhjetorit menduan e shpresuan se PD do të jetësohet me misionin që nisi në ’90, për ti përfaqsuar këto target grupe.

Partia Demokratike nuk duhet të jetë më partia e marifetçinjve politikë, të cilët pasi i përkëdheli regjimi komunist, tranzicioni i bëri disa herë ministra. Gjatë pushtetit përpos korrupsionit që i shndërroi në miliarderë, jo pak u përfolën për lidhjet me kundërshtarët politikë, duke i ushqyer me tendera, dhe duke krijuar një marrëdhënie simbiotike sot që janë në opozitë. Ja pse ata nuk besojnë në betejën ideologjike me PS dhe tallen me opozitën dhe me shqiptarët e varfër. Basha duhet ti japë fund të ardhmes së këtyre piranjave, të cilët janë në pritje të pushtetit të ardhshëm, si torta e Xhani Rodarit, ajo që binte nga qielli, e këto “barkderra anemikë” do vërsulen ta kullufisin siç bënë 8 vjet pushtet e shqiptarët i shporrën me 1.000.000 vota. Përballë kësaj qeverie të korruptuar e mafjoze Z. Basha ka detyrë të na japë një opozitë të shëndetshme e demokrate. “Të ndërtojë një grup që beson tek opozita dhe të ecë para”, thotë Fevziu.

Nuk është vështirë të krijohet një grup i tillë, i cili të bazohet në dy shtylla kryesore, mjafton të ekzistojë dëshira e Bashës. PD nuk duhet të vazhdojë të lërë në hije asetet që ka. Ka studentë dhjetoristë që kanë kontribuar në ndërtimin e PD-së në ditët më të vështira, dhe piranjat derivate të komunizmit i bllokuan karrierën në këtë parti. Sot ata kanë moshën për të qënë të pjekur politikisht e kanë investuar në mirëshkollim, duke u kthyer në profesionistë që lehtësisht mund të zëvendësojnë “ministrat e përjetshëm”. Shtylla e dytë duhet te jenë të rinjtë e talentuar, që rrjedhin nga familje të djathta e që kanë bërë karrierë vertikale në parti.

Ndërtimi i këtij grupi, mendoj Unë, nga Kryetar do ta kthente Bashën në Misionar.

Share: