Home KRYESORE Video/ Sherri Rama – Blushi në Kuvend që nuk u dëgjua në...

Video/ Sherri Rama – Blushi në Kuvend që nuk u dëgjua në media

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, ka qenë serish strumbullari i debatit në Parlament, në mungesë të opozitës.

Ai ka shkëmbyer dje replika me ministrat e qeverisë, për nderimin që Republika e Francës i bëri Kryeministrit Rama me medaljen e Legjionit të Nderit, duke thënë se në Shqipëri ai ka kaluar në legjionin e turpit.

Blushi ka ironizuar me ministren Kodheli, duke thënë se ajo kishte shok ministra që vidhnin. Kurse gjatë replikës me Blushin, ministrja Ermonela Felaj ka theksuar se edhe gjyshja e Ben Blushit ishte e mendimit se ai kishte tradhtuar socialistët. Por edhe Kryeministri Rama e ka quajtur Blushin si “kokrra e tradhtarit”. “Kokrra tradhtarit je. Kur dhe gjyshja të njeh për tradhtar, merre me mend”, ka thënë Rama gjatë debatit pa mikrofon në Kuvend, raporton Panorama. Debati është zhvilluar dhe për ligjin e faljeve, të cilin deputeti i larguar nga PS e ka quajtur si klientelist. Por ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka thënë se Ben Blushi nuk e kupton këtë nismë financiare, që do të ndihmojë biznesin, duke i hequr barrën e detyrimeve që mbanin ndër vite. Ahmetaj është shprehur se: “nuk jemi për Shqipërinë e shekullit të kaluar, jemi për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”.

REPLIKAT NË KUVEND

Ben Blushi: Falënderoj Republikën e Francës që nderoi emigrantin shqiptar, Edi Rama, për sjelljen shembullore që ka mbajtur në Francë gjatë kohës së emigracionit. I dhanë Legjionin e Nderit, në fakt në Francë është sjellë mirë si emigrant. Unë e di dhe prandaj është vend i madh Franca, se nderon edhe emigrantët e huaj. Mori Legjionin e Nderit në Francë, erdhi në Shqipëri, u bë Kryeministër, hyri në legjionin e turpit. Nga Legjioni i Nderit në Francë me Ismail Kadarenë, në legjionin e turpit në Shqipëri si Kryeministër me Mark Frrokun, Elvis Rroshin dhe Vangjush Dakon.

Ditmir Bushati: Dekorimi apo nderimi që iu bë Kryeministrit, në fakt, besoj se është nder për popullin dhe kombin shqiptar dhe mendoj që nuk e kemi luksin në këtë Parlament, i dashur Ben, që të tregohemi cinikë apo hyzmeqar të pendës, siç thotë Konica shpesh.

Mimi Kodheli: Arsyet pse ti sillesh si Saliu, kam menduar se janë ndryshe. Kam menduar se do të vijë dita që do të bëhesh një politikan serioz, por më duket se nuk do të bëhesh dot, as të dalësh mbi mesatar. Sepse mllefi nuk do të të lërë ta bësh këtë gjë dhe kujt po ua bën? Shokëve të tu prej 20 vitesh. Harron edukatën, harron librin, harron kulturën, harron moralin, Beni. S’të kam parë gjithë këto vite të shkruash një ligj, apo 5 fjalë, 5 rreshta mendim. Pa dyshim ke shkruar 5 libra, por për veten tende. Ben Blushi: Pse për kë do t’i shkruaja, për ju?! Mimi Kodheli: Që të bëhesh udhëheqës i një partie, duhet të kesh ndjekës dhe shokë, ti nuk ke as ndjekës, por nuk ke as shokë. Më vjen e vështirë të besoj se do të bëhesh ndonjëherë, tani ke humbur çdo shpresë, se ke kaluar në një parti tjetër, udhëheqës i PS-së…

Arben Ahmetaj: Do të të ftoja ta votoje këtë ligj. Ndihmon klasën e mesme, ndihmon qytetarin tatimpagues. Mos harro që po votove për këtë ligj, ke votuar për ata 90 mijë veta që u gjobitën në qershor të 2016-s. Mos harro që janë 120 mijë qytetarë që përfitojnë nga fshirja e detyrimit, për shkak të regjistrimit të mjeteve. Mos harro që ka shumë sipërmarrje që përfitojnë nga kjo dhe nisin një jetë të re ekonomike në formalizim. Mos harro që këto nuk janë vota. Mos i shiko si vota, shikoji si qytetarë, si sipërmarrje që punojnë në favor të ekonomisë shqiptare, të familjeve, të të ardhurave në buxhet po deshe, për një Shqipëri të gjeneratës tjetër.

Ben Blushi: Sipas relacionit të Ministrisë së Financave që shoqëron këtë ligj, borxhi është 178 miliardë, nga të cilat vetëm me këtë akt që ka ardhur sot fshihet gati 1/3, 50 miliardë, ose rreth 400 milion dollarë. Lidhur me ligjin e faljes, thuhet se shuhen efektet tatimore, pra borxhet që disa kompani i kanë shtetit në formë TVSH-je, vetëm në rastet kur ato janë të regjistruara pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Çfarë është AKBN? Kush janë këto kompani? Kompanitë më të mëdha që kanë në dorë pronat publike, naftë, energji, gaz, minerale, krom, bakër, atyre u shuhen detyrimet ndaj shtetit. Kush është pronari i këtyre kompanive? Njerëzit më të pasur në Shqipëri. Kujt po i falni detyrimet? Atyre që kanë marrë koncesionet e padrejta.

Arben Ahmetaj: Meqë do të kuptosh ligjin. Pse nuk vjen këtu dhe të thuash: “Po, kjo qeveri, kjo maxhorancë (megjithëse ti nuk e do, nuk e pëlqen, e voton kundër), ka bërë taksën e biznesit të vogël 0”. Pranoje statistikën pa emocione, pastaj bëj çfarë të duash me emocionet politike. Ke të drejtë ta bësh si të duash, të anosh djathtas, majtas, me Saliun, me Lulin, është gjykimi juaj, nuk diskutohet, por e vërteta është e vërtetë dhe statistika është kokëfortë, pavarësisht se çfarë bojërash duam t’i vendosim, statistika është kokëforte. Ja ku i ke njerëzit në nevojë dhe të varfrit që përfitojnë nga kjo “amnisti”, siç tha ky, por që nuk është amnisti, sepse ky term është një gabim teknik dhe konceptual dhe i qëllimtë për filozofinë që kemi mbi të gjitha. Është fshirje dhe lehtësim i pagesës së pjesshme.

Ben Blushi: Këto seanca, përveç gjimnastikës që bëj unë me ju, kanë vlerë dhe me publikun. Unë vij në palestër kur vij me ju. Vlera është t’u tregojmë shqiptarëve çfarë pune bën kjo qeveri. U bënë nja tre-katër seanca që merren me një njeri që ka 12 vjet në opozitë dhe nuk qeveris. Këtu del qeveria dhe më kërkon ll ogari mua.

Edi Rama: E kanë gabim këta që merren me ty… Ben Blushi: Po ju për çfarë jepni llogari? Akuzoheni për korrupsion, për papunësi e ka fajin Saliu. Akuzoheni që po bëni amnisti të padrejtë, e kam fajin unë. Ditmiri ishte më i qeti sot, për shumë arsye unë nuk është se kam ndonjë nënvlerësim për ty, por një gjë do ta them për çfarë do mbahesh mend këto katër vjet. Do mbahesh mend se kur filloi konflikti në Ukrainë, para nja tre vjetësh ti thoshe Ukrahinë, Ukrahinë. Sepse mendon se fjala Ukrainë, vjen nga fjala krahinë. Nuk vjen nga fjala krahinë, Ukraina. Doli Mimi këtu, çfarë pate Mimi? Unë thashë një gjë që ti s’e di, pse Republika e Francës ka nderuar Edi Ramën si emigrant shembullor. Unë e kam takuar si emigrant, jo ti, nuk shkelte trafikun, s’kishte makinë. Nuk lëshonte gazra në natyrë. Nuk kishte mundësi të fuste dorën në xhepat e dikujt, siç bën tani që është kryeministër. Edi Rama: Bravo, bravo, je akoma në KPD.

Ben Blushi: Ti Mimi i njeh shokët e mi? Ata mbase të njohin ty. Ministrja e Mbrojtjes që merret me shokët e mi. Unë kam shumë shokë Mimi, por shokët e mi kanë një të mirë. Shokët e mi nuk vjedhin. Nuk kam shokë që vjedhin, ti ke në atë qeveri. Kam pas shokë, por ditën që filluan të vjedhin, s’i kam më… Edi Rama: Boll gënjeve, ik se na lodhe…

Valentina Leskaj: Zoti Blushi, përfundojeni fjalën. Edi Rama: Lëre të flasë se ka dhe kohën e Saliut. Ben Blushi: Në shekullin e kaluar, ky ka qenë drejtor doganash, kurse unë kam qenë gazetar.

Edi Rama: Ti je një KPD-AR… Në shekullin e kaluar bëje fjalime për KPD-në. Ben Blushi: Je nderuar si emigrant dhe turpëruar si kryeministër.

Ermonela Felaj: Sot në mëngjes takuam një zonjë elegante, nga vetë ajo mësuam që ishte gjyshja e Ben Blushit. Unë jam gjyshja e Blushit, atij që ju ka tradhtuar. Unë mund të jem e fundit ndoshta, ngaqë s’kemi pasur raporte shoqërore, por kur të dëgjoj që flet me kaq negativitet për njerëzit që ke ndarë për një jetë të tërë ide dhe mendime, por përpara teje dhe gjyshes do zgjidhja 1 mijë herë gjyshen.

Edi Rama: Kokrra e tradhtarit je. Kur dhe gjyshja të njeh për tradhtar, merre me mend. Ben Blushi: Emigrant erdhe, emigrant do ikësh./kj/ Media

Share: