Home KRYESORE “1- QERSHORI” NË BURG… LOT MALLI DHE DASHURI

“1- QERSHORI” NË BURG… LOT MALLI DHE DASHURI

Nga Xhoi Jakaj

Në një ditë si “1 – Qershori” askush nuk e kalon nëpër mend se ka me qindra fëmijë që nuk mund të jenë plotësisht të gëzuar. E vërteta e hidhur është se kudo rreth nesh ka fëmijë që në ditën e festës së tyre nuk zgjohen me një puthje e përqafim të ngrohtë nga nënat e tyre, nuk e gjejnë mëngjesin e tyre të preferuar mbi tavolinë e diku nëpër shtëpi nuk është fshehur dhurata që ata aq shumë e dëshirojnë.

Në fakt, për shumë prej tyre këto copëza të vogla të ditës nuk ndodhin prej shumë kohësh, madje edhe prej shumë vitesh… e kjo sepse nënat e tyre, pavarësisht të gjitha sfidave e vështirësive që ju ka servirur shoqëria jonë, fatkeqësisht duhet të përballojnë edhe peshën e hekurt të burgimit.

Burgu i grave në Tiranë (Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi”) përballet çdo ditë të ekzistencës së tij me lot, dhimbje e mall nga qindra familjarë që vijnë për të takuar nënat, motrat apo bashkëshortet e tyre. Nuk ka asgjë tjetër më të dhimbshme se se sa të shohësh fytyrat ëngjëllore e të pafajshme të fëmijëve që pa dashur kanë mbetur pa nënat e tyre pranë.

Në përpjekje të vazhdueshme për të zbutur këtë dhimbje, këtë traumë kaq të rëndë, për të vënë pak buzëqeshje në jetët e shkatërruara të grave e vajzave të burgosura, të gjithë atyre që në një mënyrë a një tjetër vuajnë burgosjen e tyre, e veçanërisht fëmijëve të nënave të burgosura, në I.E.V.P. “Ali Demi” ka një larmishmëri aktivitetesh festive, social – kulturore e edukuese.

Edhe sot, në prag te 1 Qershorit,dita nisi ndryshe. Ndryshe nga zymtësia që i përshtjell burgjet, burgu i grave gumëzhinte nga zërat e fëmijëve që luanin e përqafonin me mall nënat e tyre. Nuk ishte më një ditë tjetër që duhet të kalonte sa më shpejt për ta, përkundrazi, do të donin që kjo ditë të mos mbaronte kurrë.

Për të mos i lënë të harruara e të përjashtuara nga shoqëria, për t’i afruar me jetët e fëmijëve të tyre gratë e vajzat e burgosura, I.E.V.P. “Ali Demi” organizoi aktivitet festiv në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve”. Së bashku me CARITAS Shqipëri, gratë e vajzat e dënuara arreduan ambjentin e përgatitën dhuratat për të pritur fëmijët e tyre. Prezenca e aktorëve të shoqërisë civile edhe këtë herë rezultoi në një bashkëpunim të frytshëm me Universitetin “Marin Barleti” ku studentët e pranishëm së bashku me pedagogun e tyre z. Erion Kristo, e gjallëruan më shumë këtë aktivitet duke përcjellë mesazhe optimizmi e shprese për të ardhmen.

Atomosfera u bë edhe më festive në sajë të prezencës dhe performancës së këngëtareve të mirënjohura Irma & Eranda Libohova. Këngët e tyre sollën buzëqeshje e gëzim tek nënat e fëmijët e tyre… lot malli rrodhën nga ato që nuk mundën dot t’i kishin fëmijët e tyre pranë.
Ne e dimë fare mirë se ligjet e burgosjes në vendin tonë janë të rrepta per grate, shumë jetë janë shkatërruar nga krimet jo edhe aq shumë të dhunshme dhe politikat e tolerancës zero.

Derisa të bëhet reforma e gjithanshme e të gjithë sistemit të drejtësisë, kur të vendoset se cilat krime janë me të vërtetë të duhurat për dënim me burgim dhe derisa vetë shoqëria jonë vërtet të kërkojë rehabilitimin dhe jo edukimin e personave delikuentë, me qindra fëmijë vuajnë.

Fëmijët po vuajnë nga mungesa e nënës apo babait të tyre, nga burgosja e tyre dhe kanë shumë gjasa të kapen në ciklin e tyre nëse të paktën ne nuk do të përpiqemi të kthejmë buzëqeshjen për ta, t’i japim vlerë e dinjitetin e duhur modelit femëror.

Fëmijët mbeten fëmijë – është e pafalshme të vuajnë ata pasojat e veprimeve të të tjerëve; është e pafalshme t’i lësh me lot në sy duke kërkuar pafajêsisht dashurinë e nënës së tyre.
Tê pakten ne te gjithë si shoqeri ti mbeshtesim që femijët të gezojne një ditë edhe brenda vuajtjes e pritjes së tyre të gjatë për nje perkedhelje nga dora e mamase se tyre

*Xhoi Jakaj. Dr e burgut te grave.

Share: