Home KRYESORE Sondazhet, “shkencëtarët” dhe firmat e sondazheve. Nga Kasem Seferi

Sondazhet, “shkencëtarët” dhe firmat e sondazheve. Nga Kasem Seferi

Në këto tre – katër zgjedhjet e fundit (ose më mirë ta themi që nga viti 2005 e këtej), në zgjedhjet kombëtare për të zgjedhurit në Kuvendin e Shqipërisë, janë shfaqur individë të vetëemëruar/“shkencëtarë“ të sondazheve/vrojtimit me zgjedhje sikundër quhet kjo metodë statistikore.

Duke vlerësuar kohën dhe paratë e shpenzuara për këtë qëllim, pavarësisht se kush është/janë dhënësi/dhënësit (nuk më pëlqen fjala e huaj donator), kam parë me një farë dyshimi (përsëri e theksoj nuk më pëlqen fjala e huazuar skepticizëm) të përhershëm vërtetësinë e këtyre vrojtimeve me zgjedhje.

Dhe kam më shumë se një arsye.

E para: Ekonomia nuk është një shkencë që bazohet te sendet dhe materialet, por te veprimi njerëzor.

Si e tillë, kjo shkencë ende e pashkëmbëzuar kudo në botë dhe aq më pak në Shqipëri, të paktën, na thotë se qytetarët kundërveprojnë kundrejt ofertave/çmimeve që hedhin në tregun politik që ka lidhje me sigurinë e tyre në të ardhmen dhe në atë ndjenjave qarqet e ndryshme politike që duan të vijnë në pushtet me votën e tyre.

Në të njëjtën kohë “ndëshkimet“ e mundshme, që do tëvijnë pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, deklarohen nga çdo kundërshtar politik për tjetrin, ose për të tjerët para, gjatë dhe, natyrisht, shumë pas rezultatit të fushatës zgjedhore.

E dyta: Kush ua ka dhënë këtyre firmave dhe individëve/“shkencëtarë“ të vrojtimeve me zgjedhje të drejtën hyjnore të Zotit, që të mund të verifikojnë se sa i vërtetë është sinqeriteti i përgjigjes së qytetarit shqiptar, që prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh (nuk më pëlqen fjala dekadë), janë të zhgënjyer, e braktisin vendin për një jetë më të mirë edhe pse ka qenë (nuk dihet se sa në përqindje) pjesë e “një milion shuplakave“.

E treta: Tejdukshmëria (jo fjala transparencë) e tyre, a është bërë e ditur për qytetarët shqiptarë, që nuk kanë besim as te politikanët, as te qeveria, as te gjykatat, as te bankat, fatkeqësisht … te askush, se cilët janë këta dhe përse duhet t’u besojnë qytetarët këtyre firmave dhe/ose këtyre individëve.

Një pyetje kam për të gjithë këta zotërinj:

A janë në gjendje këta individë të parashikojnë (të paktën një ditë para) se çdo të bëjnë të nesërmen?!

Vetëm një shembull nga praktika po u jap.

Nisesh për diku, daç në këmbë, daç me biçikletë, ndaç me autobus, ndaç me taksi, ndaç me autoveturë personale, ndaç me … varg makinash shoqëruese dhe të policisë rrugore, rrugës do të hasësh vonesa nga më të ndryshmet si rrjedhojë e ndikimit të faktorëve të ndryshëm.

Pra, mbajeni kalin, qofshi, zonja/zotërinj!

Se po i “shtypni“ qytetarët.

Ecni me kujdes, duke respektuar “rregullat e qarkullimit/qytetërimit/demokracisë”.

Natën, kur mblidheni në shtëpi me familjet tuaja dhe dëgjoni lajmet; ditën kur takoheni me farefis dhe miq dhe pini kafenë e mëngjesit.

E keni parë ndonjëherë veten në pasqyrën e qytetarëve të thjeshtë?!

Besoj, jo!

Bëni vrojtim me zgjedhje me qytetarët se çfarë do të përfitojnë/humbin ata pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017!

Kjo do të jetë risi për ju dhe, ndoshta, mbi këtë përvojë mundet që të jeni pranë (me rezervë e them) në zgjedhjet e vitit 2021, në vrojtimet me zgjedhje që do të priren t’i afrohen së vërtetës, të drejtën e vetme të së cilës e ka koha.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: