Home KRYESORE “Duje lalën fort, veni men zanatit se qeveritë shkojnë e vinë”

“Duje lalën fort, veni men zanatit se qeveritë shkojnë e vinë”

Nga Kasem Seferi

Kjo thënie e urtë tironse më çoi ndër mend ditë të shkuara, ndoshta, kur kam qenë diku ndërmjet viteve 1955 – 1957. Pikërisht atëkohë kur Tirona ishte Tironë jo si kjo e sotmja (të cilën, gjithësesi, e adhuroj).

Për t’i njohur më mirë dhe në detaje ardhacakët që prej kohës së Mbretit Zog i Parë dhe deri në ditët tona, po përpiqem të jap një pamje të Tironës së ngjashme (besoj) me fillimet e saj, duke përdorur kujtime të personaliteteve të huaj dhe duke i gërshetuar ato me kujtimet e mia të virgjëra të fëminisë.

Ishte dhe është një qytet që quhet … Tironë!

Një “sipërmarrje” e tillë e një përgjegjësie të pazakonshme qytetare, për të përshkruar diçka nga Tirona jonë e dashur dhe zemërgjonë, e mori nxitjen nga një program i transmetuar në një kanal televiziv privat në lidhje me historinë e saj.

Me këtë rast do të desha t’i kujtoj çdo lexuesi se unë në këto pak kujtime, nuk marr përsipër t’i jap të gjitha të vërtetat e plota dhe të padiskutueshme, por vetëm një “fotografim” të asaj që unë pashë me sytë e një fëmije të moshës 7 vjeçare, që u largua nga shtëpia e tij tironse për të jetuar në komunitet me familje të tjera që kishin ardhur në Tiranë pas Luftës së Dytë Botërore, në një godinë trekatëshe në atë zonë që sot quhet Tirana e Re.

Për të mos më mbetur pishman pa e thënë më duhet të pohoj që edhe pse Rruga “Hajdar Hidi” ka ndryshuar mjaft, unë ende emocionohem kur shkel nga kreu ose nga fundi i saj; pikërisht lloji i këtij emocioni që unë provoj është ai çfarë më shtyn dhe synoj të ngacmoj tek çdo tironas me këto pak kujtime:

Pjesë nga një botim i Bashkisë së Tironës më 1937 (me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë)

“Tirana asht nji qytet i ri. Themelet e ndërtesavet të para të këtij qyteti, u vunë në 1604 prej Sulejman Bej Mulletit (Bargjinit *), në fushë ku 160 vjet përpara Skënderbeu kalonte në paradë ushtrin e parë kombtare (Historia e Skënderbeut prej Peshkopit Theofan, faqe 121) të Shqipnis së lirueme prej tij.”.

“… nji ditë me disa njerëz të vet, (Sulejman Bej Mulleti K.S.) duel të kontrollojë vendin ku do të ngrihej qyteti dhe vendosi të ndërtojë tri ndërtesa të para: nji xhami, nji furrë e nji hamam, që jan gati si tri institute të para krejt të nevojshme për nji jetë qytetare.”.

“Në kët kohë rrethi i Tiranës nuk ishte myslimanizue mirë. (D. Stefano Gaspari: Relacione della diocese di Durazzo në 1671, Hylli i Dritës Nr. 2 vjeti 1932, faqe 98). Nji pjesë e katundarëve q’ishte kthye mysliman, kët e kishte ba sa për sye e faqe për t’i hik taksave të randa e angarive **…”.

“… nji gojëdhanë tjetër e vjetër e ruejtun edhe sot në Bendë, Malsi e Tiranës, tregon se në fushë ku asht ngrefë qyteti i ri, andej pak ma poshtë nga asht Kroi i Shëngjinës, ka qenë dikur nji qytet i madh i quejtun Tiranë (rreth dyqind e ca metra në vijë ajrore, përballë me Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” është zbuluar një mozaik i kohës romako – bizantine K.S.).

“Barleti tue folë mbi Tiranën, ep spjegime edhe ma shumë pse tregon që ka dy Tirana …”; Tirhoni i madh dhe Tirhoni i vogël, nga të njëqind e gjatëdhjetë e ca kështjellat e ringritura nga Perandori Justinian, kanë qenë vendet ku dorëzoheshin dhe ruheshin detyrimet tatimore të asaj kohe; në legjendat popullore përmenden si Tiri i Madh dhe Tiri i Vogël ku “grumulloheshin zahiret/tatimet për ushtrinë”.

“Tirana, si qytet i ri, në Ibrahim Beun (i biri i Sulejman Bej Mulletit K.S.) gjet kujdestarin q’i duhej pse ay posa muer punën në dorë, pregatiti nji plan për të, drejtoi rrugat, zmadhoi hamamin dhe u dha banorëve tokë mjaft për të pasë jo vetëm kopshtije për rreth shtëpijave për lule e pemë po edhe ndonji copë arë për të mbjellë ndonji gja tjetër të nevojshme.

(“Mu ke ara, o ke xhamia! Po na vinte, o shoqënia; Shoqënia, o me shamia; Sa hije t’paska mi bukuria; …” këngë popullore tironse që pasqyron periudhën përkatëse kohore K.S.).

Për të la qytetin dhe për të futë nën uj fushën e Tiranës, (Ibrahim Beu K.S.) dau nji rremë uji prej Riglate dhe e kaloi në mes të qytetit tue e nda në shumë vija.”.

Johann Georg Hann

“Tirana e fusha e sajë më banë nji përshtypje shumë të kandëshme. Skota e njerëzve që banon ktu mbahet nga ma të zhdërvjelltit, por edhe nga ma biramelat e Shqipnis së Mesme. Arat kopshtijet, bimët janë punë me kujdes dhe kto të fundit, ma të shumtën, të rrethueme mirë.

Bagtija asht mbajtë mirë dhe në ma të shumtat katunde gjinden shtëpija guri dy katesh, në të cilat shihet nji pastërti e mjaftë; kurrkund nuk duken gjurma vobeksije e mjerimi. Gjaja që më habiti ma shumë qe qyteti të cilin un pandehsha t’a gjejë nji çerdhe t’errët e të ndyetë kurse e gjeta të pastër, të bukur e të shtrim në nji fushë uj – shumët plot me kopshtije e pemë, shikimi i afërtë i të cilëve të ban me kuptue se ktu kurrkush nuk vuenë e nuk vdes për bukë.

Ndër të dy rrugët e qytetit hecin dy vija të vogla uji që lajnë e pastrojnë çdo ndyesi.”.

Sot Rruga e Durrësit dhe Rruga e Kavajës.

 

Auguste Dozon

“Tirana, për mendimin tim, është një nga pozicionet më të hijshme të Turqisë europiane; qyteti në vetvete nuk është ndonjë gjë e madhe, por ujët rrjedh ngado dhe pemët e të gjitha llojeve mbushullojnë.

Rrethinat e saj më të afërta përbëhen nga kopshte me drurë frutorë apo ara rrethuar nga një gjerdhinë e blertë (gjë aq e rrallë në Turqi) dhe pemë, duke i dhënë kështu një pamje të ngjashme me peizazhin normand, madje dhe lombard, sepse hardhitë u qepen pemëve të larta me maja të rrafshuara, mbjellë enkas për to; janë caracat, që zevendësojnë vidhin Italian.

Edhe këtu gjenden rreth njëqind familje vllehe, që kanë një shkollë dhe janë duke rindërtuar një kishë prej druri mjaft e gjerë; … në të njëjtën kohë, shfaqet edhe elementi katolik, por shumë i paktë në numër; famullia përbëhet nga shtatë familje, shumica ardhur nga jashtë; ka një kishë, me një banesë priftërore, ngritur prej dhjetë vjetësh; prifti është Italian (Kisha Ortodokse ka qenë atje ku është sot Hotel Tirana International, ose pesëmbëdhjetëkatëshi), ndërsa prapa tek pallati ngjitur me Veve Business Centre, ku ka pas qenë grupi i shtëpive të fisit të njohur Deliu (nga ka dalë tregtari me famë Lom Deliu, ka pas qenë një kishë katolike, pikërisht në këndin që krijonte grupi shtëpive tironse me ish Hotel Pezën, sot Veve Business Centre K.S.)”.

 

Jules Alexandre Theodore Degrand

 

“Hyrja e Tiranës, është tërheqëse, shtëpitë e qytetit dhe pemët e bukura të kopshteve të lenë përshtypjen më të këndshme; del në një shesh të gjërë ku ndodhet kulla e sahatit dhe xhamia e Haxhi Ethem beut ….

Asnjë prej qyteteve që kam parë në Shqipëri nuk paraqet një karakter aq interesant; themeluar nga një mysliman (Sulejman Pashë Mulleti, fisit të të cilit Mbreti Zog i Parë, ia ndrroi me dekret mbiemrin Mulleti në Mileti K.S.), ka mbetur pak a shumë siç ka qenë tre a katër shekuj më parë; … është qyteti ku një mysliman gjen çka kërkon përherë: ujin, lulet frutat e bukura, një klimë të këndshme, ku jeta nuk paraqet vështirësi. …

Kalova orë mjaft të këndshme në kopshtin e mbjellë me portokaj duke dëgjuar cicërima fëmijësh …

Me përjashtim të rreth pesëdhjetë katolikëve që kanë një kishë të vogël dhe të 2 000 të krishterëve të ritit grek (sllavë e kuçovllahë), pjesa tjetër e popullsisë praktikon fenë myslimane, por në përgjithësi i përket sektit të bektashinjve apo të dervishëve ulëritës.”.

 

Rrugica Hajdar Hidi, një pjesë e vogël e Tironës

 

Lagjia ku ndodhej rrugica me emrin e patriotit Hajdar Hidi, fillimisht përkrahës i lëvizjes xhonturke, por më pas i dënuar me burgim, herët quhej Lagjia e Re. Ajo shtrihej në anën e majtë të Rrugës së Kavajës, e cila fillonte menjëherë nga ndarja e bulevardit me Kafe Kursalin përbri Bashkisë, ish pronë e të njohurit, avokat Ali Begjes që, fatkeqësisht, dha shpirt në burg nga torturat e sigurimit të shtetit në 1947, pothuajse përballë me Bankën e Shqipërisë, pas së cilës, majtas, fillon rruga që të çon te ish Kinema “Brigada”, aty ku sot është në ndërtim Kisha Ortodokse, ndërsa djathtas, sot te “Pallati i Bankës”, i shkonte përbri qiparisave “qiellgërvishtës” të ish Teqesë së hershme të familjes Kubati, përshkruar me aq mbresa në kujtimet e saj nga publicistja e njohur angleze Edith Durham, në shpinë të së cilës, ndodhej deri në vitin 2007 Kinema “Republika”.

Në të djathtë, pak përpara ku për vite ka qenë Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë Tiranë, Rruga e Kavajës ndahej nga kthesë harkore me një gjatësi rreth 70 – 80 metra me Rrugën e Durrësit, ku pothuajse në krye të saj, në të djathtë, deri në vitin 1981 shihej “muri” prej dërrase i grupit të shtëpive të fisit të njohur Karapici.

Pikërisht rreth nja 100 metra duke zbritur poshtë në Rrugën e Kavajës, ndodhet rrugica “Hajdar Hidi”, në krye të së cilës, djathtas, (edhe sot) është një ndërtesë e madhe që vijonte me rrjeshtin e vilave të familjes Mëniku, ndërsa majtas ishin grazhdet e kuajve të Mbretit Zog, ku pat punuar Doktor Mukini i njohur në Tironë për historinë e majmunit të tij, ku pas vitit 1945 banonte minoritari Petro Marqilli.

Në kthesë në një hapsirë të shkurtër si brryl ishte grupi i shtëpive të pasardhërsve të Hajdar Hidit: Shyqyriut (Çies), Besimit dhe ngjitur me to ishte shtëpia e Janit të Maries, ndërsa në shpinë të saj në të majtë kur merr poshtë rrugicës, ishte një vilë e vogël dykatëshe dhe shtëpitë e vogla përdhese të Nuz policit, Gjyp Komanit, para grupit të shtëpive të familjes së Dulla beut (Beliu), ku pas vitit 1945 u pat strehuar ish Kryetari i Bashkisë së Tiranës, dibrani Qamil Pepa (baba i Gimit, Darit, Shpresës, etj) i cili i ngrysi ditët e tij të pleqnisë me mikun e tij të verbër Con Lundrën, ulur pothuajse gjatë gjithë ditës në gurët e mëdhenj të portave, si të donin të evokonin kohën e një Tirone të hershme që po perëndonte.

Në shtëpitë e Dulla Beut pat jetuar ca kohë, gjithashtu, edhe ish ministri i brendshëm komunist Kadri Hazbiu.

Më tej, në boshllëkun e një trualli të konsiderueshëm prapa Shkollës “Kristoforidhi”, përballë me vendin ku ishte çeçmja e rrugicës, ishte një barakë e madhe prej druri që i shërbente Bandës së Ushtrisë si sallë provash, e cila gjatë muajve të verës shndrrohej në qendër stërvitje për boksierët e Klubit Sportiv “Partizani”; më pas, në radhë njëra pas tjetrës, gjithnjë në të majtë, pothuajse, në mesin e rrugicës, shtriheshin shtëpitë e fisit të madh Balla (baba i Gonit, Sherafi, profesor Naimi, Balja e shkretë), më pas ajo e Conit shokut dhe mikut të babës tim, babait të Lulit, Mitit, Dhuratës dhe gjyshit të gazetarit të njohur Sokol Balla; më pas ajo e plakut Xhep Balla me fëmijët e tij: Shaqirin, Sanijen, … Dullain, Gëzimin dhe Nuriun, që pasohej nga shtëpia e Medit të Fitit e të tjera, gradualisht deri tek kthesa ku fillonte trualli që ndante fisin Balla me fisin Kika të vëllezërve Qazim, Ali, Muharrem me bijtë e të cilëve Bardhin, Kujtimin, Lilin, Lulin, Nirin, sikundër me të gjithë në rrugicë kam ndarë veçse miqësi dhe kujtime të bukura; te shtëpia në kthesë, sot pronë e familjes Zajmi, për njëfarë kohe u strehua nëna dhe motra e Nënë Terezës.

Trualli i qarkuar nga fundi i pronave të familjes Balla (Lomit) shtëpisë dhe vilave të shpronësuara të fisit Kika, në rrjedhën drejt fundit të rrugicës e vazhdonte “historinë” me shtëpinë e vogël të Ilo Polenës (babait të Titit, Gjelës, Janës, fëmijëve më të vegjël të Sijes, tezes së Miço Papadhopullit, bijë e fisit Paci), më pas vazhdonte me shtëpitë e fisit Bulku që merrnin kthesën majtas në rrugicën e shkurtër që lidhet me rrugicën “Shyqyri Bërxolli”, në anën e djathtë ku banonte fisi Daja, dhe të tjerë si familja Elbasani e Kiut dhe Gimit, ose e dy vëllezërve me motër Miriamin, në rrugicën e vogël pa krye të fisit të Çizmelive, me të paharruarin Gimin e Salë Çizmes për thënien e tij: “Gom Sala, gom”, ku ishte martuar halla ime Sabria, para se të lidhej me rrugicën “Shyqyri Bërxolli”, e cila duke filluar nga poshtë, djathtas me fisin Nallbani, me drejtim përpjetë për në rrugën e Kavajës, pas viteve 90 – të, për shkak të tregtisë së disa familjeve çame me mbiemër Nuri, që patën blerë shtëpinë e fisit Vozga (dhe më duket një të fisit Demneri), diku në krye të rrugicës, nga ku duket qartë ish Lidhja e Shkrimtarëve, për çudi sot njihet si “rrugica e çamëve”, pikërisht te ajo kthesa e shkollës “Kostandin Kristoforidhi”, para teqesë së shenjtë, përballë dhe përbri me portën e fisit Arbana – Mema, nga ku dolën futbollistët e njohur Haxhi Arbana, vëllai i madh i futbollistëve Osman dhe Ali Mema dhe babai i futbollistit dhe ekspertit të futbollit Sulejman Mema, lidhej përsëri me rrugicën “Hajdar Hidi”.

Në atë teqe, i spërkasnin me “ujë të shenjtë” fëmijët kur ishin të sëmurë.

Rrugica “Hajdar Hidi”, në të majtë, drejt fundit të saj, zbukurohej nga vila e familjes Rama dhe zbriste drejt një pjerrësie në një lloj sheshi në kufijtë pronësorë të plakut të mençëm Muharrem Arbana, babës së Liçes, që e mbylli jetën disa qindra metra larg rrugicës së tij në një nga apartamentet në vargun e pallateve të rrugës “Myslym Shyri”; në një prej shtëpive në pjerrësi, banonte “profesori” fisnik Niazi Boçari, që ashtu sikundër thuhet, rrjedh nga familja e madhe e të mirënjohurve Boçari nga krahina e Sulit në Greqi.

Krahu i djathtë i rrugicës, kur hyn nga Rruga e Kavajës dhe zbret poshtë, nis me “sarajet” e Mënikve ku banuan për shumë vite njerëz të mirë si ish Ministri i famshëm i Drejtësisë, Manol Konomi, që dha dorëheqjen për shkak të vrasjeve pa gjyq nga pushteti komunist, babai i ish deputetit të PD – së Maksim Konomi, familja e gazetarit Reis Çiço, një familje tjetër e mirë me shumë vajza (ku më e madhja është mjeke) dhe një djalë të vetëm pa babain e tyre, vëllezërit Evzon dhe Koç Paci, ky i fundit ish futbollist i Tironës para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, më pas trajner i ekipit të ish Kombinatit të Tekstilit “Stalin” dhe të tjerë, për të vijuar me shtëpitë e familjes Vika ku qëndruan për shumë vite bijtë dhe bijat e Ollga Pacit martuar me kuzhnierin e talentuar Papadhopulli, babain e të njohurve të futbollit shqiptar Tili dhe Miço Papadhopulli, gjithashtu edhe këta nipa të futbollistit dhe trajnerit të njohur Koç Paci, si dhe vëllezërit e Lenit, nënës së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, të cilin e lash 3 vjeç kur u largova nga rrugica më 1957, si dhe motrës së vogël Tina, nënës së Eneas, fëmijës së talentuar që luan Leon te “Lulëkuqet mbi mur”.

Në fakt fisi Vika nuk është gjë tjetër veçse një pjesë/degëzim i fisit Seferi që e patën ndërruar mbiemërin në një kohë të hershme; sipas një dokumenti të hipotekës, fisi Seferi rridhte nga Sefer Seferi për të vazhduar me Mehmet Seferin, Ismail Seferin, Kasem Seferin (gjyshin tim, të cilit i trashëgova emrin), Bajram Seferin (babain tim), Kasem Seferin (unë vetë) dhe Blendi Seferin, djali tim të vetëm trashëgimtar sot, i cili në rrjedhën e drejtëpërdrejtë, sikundër shihet, përfaqëson brezin e shtatë të fisit.

Shtëpitë e fisit Vika, Seferi dhe Lundra, njëpasnjë, qëndronin të lidhura me mure qerpiçi dhe ndaheshin nga një rrugicë që dredhonte drejt pjesës së prapme ku jetonte xhaja i babës tim Beqir Seferi, që del përsëri në Rrugën e Kavajës, përballë me xhaminë në krahun tjetër të rrugës, përtej trotuarit të mesit ku dikur pat qenë shtëpia e vjetër e fisit Seferi, që kufizohet sot nga prania një shtëpie të hijshme disakatëshe, ngritur në themelet e një vile dykatëshe që gjyshi im Kasem Seferi dhe vëllai i tij Beqir Seferi e patën shitur në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore.

Shtëpitë e grupit familjar Seferi, të vëllezërve Emin, Mustafa, Bajram dhe Ismail dhe shtëpitë e grupit familjar Lundra (Merit dhe Kadriut, sepse Coni e pat më vete, në kufi me kopshtin e Frones), ndaheshin me anë të një rrugice qorre me kalldrom të bukur nga një mur qerpiçi i ulët nga rrugica pa kalldrom ku ishin rrjeshtuar shtëpitë e fisit Maxarreku (Xonit, Cines, babës së Rrapit, Sinonit dhe vëllait të vogël me nofkën “gënuqi”; në rrugicën pa krye të shokut tim të fëminisë Nuri, vëllait të Detit, Xhafës, në fund ishte një shtëpi ku jetoi edhe familja e Fitnetit, me djalë Gimin, vajzë Qanien, Sanijen dhe Lilin.

Pas rrugicës pa krye të Maxarrekëve janë shtëpitë e familjes Shpati, nga ku doli profesori i ndershëm Rexhep Shpati me fëmijët e tij dhe të vëllait prej të cilëve, veçanërisht, do të desha të dalloj Çiçin e Zojës, e kështu me rradhë shtëpia e familjes dibrane të bashkëmoshatarit tim Fat Ramadani që bënin nallone, për të vazhduar me shtëpinë e “eleterikxhiut” me mbiemër Koçi, më pas me shtëpinë e ulët të karrocierit Ismail, babës së Bashkimit shokut tim të fëminisë, familjes Pepa (nga ku doli i paharruari Shyqyri që fatkeqësisht u nda nga jeta shumë ri si dhe Zevendëskryeministri i qeverisë së Stabilitetit, Profesor Zyhdi Pepa) për të vazhduar me shtëpitë e familjes Shpati, në mesin e të cilave ishte shtëpia e vogël e momës së Becit (Pandeli Xhikës) Lefterisë, gruas më jetëgjatë të rrugicës, më pas shtëpia e Haki Shpatit, ndjekur nga shtëpia ku jetoi rekordmenia Natasha Mitrushi, Riza Hajro, më pas shtëpitë e fisit Muça, të mikut tim futbollistit të Tironës Ilirit dhe vëllait të tij Veliut që këndon kongët e Tironës në një rrugicë pa krye ku jetonin edhe familjet e shokëve të mi të fëminisë, Fatit dhe Gjelës; pas rrugicës pa krye, niste shtëpia me tulla e fisit Merja, e me rradhë ajo e katolikëve Kacagjeli (e vëllezërve të rekordmenit të 400 metrave të ekipit “Dinamo” Vinçenc Kacagjeli, Tefës, Francit, vëllait të madh dhe motrave të tyre), e familjes Bytyçi (nga ku doli futbollisti me emër i ekipit të Tironës dhe kombëtares Luigj Bytyçi, ose “Bixh balerina” dhe vëllait të tij shofer taksie, më pas shtëpia e familjes Keta (e Dylit dhe vëllezërve të tij Latit, Pëllumbit, motrës dhe vëllait të vogëm, fëmijëve të Fatushes), e të tjera, për t’u mbyllur poshtë me pronat e plakut të mençëm Rrem Arbana, i cili në vitin 1915 pat takuar kryeministrin famëkeq të Serbisë Pashiç; për fat të keq nuk jam në gjendje t’i kujtoj të gjithë të tjerët me saktësi në shtëpitë e fundit në të djathtë të rrugicës ku ndodhet sot pallati, përbri të cilit janë shtëpitë e fisit Dedja atje ku lidhet rrugica “Hajdar Hidi” me rrugicën “Islam Alla”, për shkak të erozionit që ka pësuar kujtesa nga ndërhyrjet e pallateve me punë vullnetare.

Rrugica “Hajdar Hidi”, një rrugicë karakteristike me kalldrom në formë kurriz peshku deri buzë mureve që ndaheshin nga shtëpitë prej qerpiçi, me një “trotuar” prej kalldromi 30 deri 40 cm të gjërë ngritur dhjetë – dymbëdhjetë gishta mbi të, krijonte një tip rrëkeje ku mblidhej uji i shiut që rrëshqiste poshtë, besoj se do të mbetet e paharruar për të gjithë.

Ditëve të pranverës dhe verës sidomos kur pushonte shiu, kalldromi nën rrezet e Diellit shkëlqente, njësoj ashtu siç shkëlqente mëngjeseve nga pastrimi i kaneve (kështu thirreshin gratë e moshuara tironse), të cilat pasi e kishin spërkatur me grushta me ujë që rridhte nga gjymat e mbushur në puse dhe më vonë në çeçmen e rrugicës, ose çeçmet e shtëpive, e pastronin me kujdes me fshesat e bëra prej shqope. Kujtoj si tani Nonën, ose Nurien, gruan e Xhajë Eminit, që pasi lante fytyrën e djersitur, lidhte me krenari kryqen përmbi krye dhe i merrte erë qetë – qetë një dege me selfion; po kështu e kujtoj edhe Timen, nusen e Xhajës së babës tim Beqirit, tezen e Artistit të Popullit, Skënder Sallaku, Lijen gruan e Xhajë Mustafait, Dejen e Kadriut, nënën e Medihas, Zojën e Shpatve, Fitin e Medit, momën time dhe shumë të tjera, mallin e të cilave, herë – here, sot ma heq Deja nusja e xhajës tim të vogël Molit, e vetmja që rron ndër gratë e çunave të gjyshit tim Kasem Seferi.

 

 

Porta e shtëpisë

 

Çdo portë e rrugicës ishte e madhe, për shkak të një legjende të zbehtë në kujtesën e të moshuarve, sipas të cilëve shtëpia e tironsit mund të ishte e vogël, por portën duhet ta kishte të madhe, çka shpjegonte traditën e tyre tipike të mikpritjes dhe të shpirtmadhësisë që, ende, nuk e kishin lëkundur “dallgët” e ditëve moderne të shekullit XX dhe XXI; të gjitha portat ishin të mëdha dhe anash tyre, në vend të luanëve apo dragojve prej guri të derdhur në beton, kishin gurë të mëdhenj ku, zakonisht, uleshin ose pleq, ose fëmijë. Porta e familjes time ishte pak më e madhe se zakonisht, sepse ajo pat qenë porta e hanit (mund të ketë qenë pikërisht porta e atij hani që mixha i Shaqes (të vetmes gjenerale sot), koleges time në Presidencë, ato ditë që shkruaja ishte përmbi njëqind vjeç dhe rronte në Sohodoll Dibër, e kujtonte ende me respekt emrin e gjyshit), ku për ditë pazari riparonin samarët, ruanin e mbathnin kuaj e gomerë të katundarëve që “zbrisnin” për të shitur produktet e tyre dhe për të blerë harxhet e muajit në pazarin e Tironës.

Gurët anash portës dhe ato të pragut, që ishin nxjerrë nga lumi Erzen, përveç rrumbullaksisë së fituar gjatë rrokullisjeve shekullore, u ishte dhënë një lustër e veçantë nga brekushet të pleqve dhe pantallonat e fëmijëve të disa brezave (përfshi dhe të miat); boja e portës ishte pak e çuditshme: përgjithësisht jeshile e errët, mbi të cilën spikasnin paftat metalike me dhëmbëza dhe një rreth me hekur të hollë, i përdredhur në të ftohtë, që përplasej mbi paftë dhe kërcitjet e tij lajmëronin njerëzit e shtëpisë se dikush priste te porta dhe kërkonte të komunikonte me ata.

E kujtoj edhe sot atë piskamë zvarritëse kur porta hapej dhe si zakonisht do të dëgjoja shprehjet: “Oj nuse! … ja mi se ka ardhë, me ner teje, i katunar e ka i haber me t’dhon!”, ose “Uuu, qyqja, kush na paska ardhë! Ja mi none mrena, ja!”, ose porosia: “Çuno! Vre ko mre! Hec konit e konit mi no se t’gjesh noi makinë m’xhadet!”.

Oborri i shtëpisë

 

I rrethuar jo i gjithi me ndërtesa të njëllojshme, oborri i shtëpisë ishte i shtruar me kalldrom, gurë lumi me një diametër 15 deri 17 cm, me rrëke (kanale) 30 cm të gjërë dhe 15 cm të thellë, poshtë në vijë vertikale me daljen e çative nga çdo pjesë e veçantë e gjeometrisë së banesës tironse: odës së zjermit, odave të gjumit, odës së miqve, hajatit dhe qureve, të cilat lidheshin pa ndonjë formë të caktuar në fund të pjerrësisë së oborrit ku, në fund të murit ndarës prej qerpiçi me shtëpinë e Don Vikës, burrit të Bedries dhe babës së Lilit, hapej një si një urë lidhëse ndërtuar me qemer qerpiçi, që vazhdonte rrjedhën e vet shtëpi më shtëpi si gjithandej seria e rrëkeve të shtëpive tironse, për t’u derdhur më pas në kanalin kryesor të Rrugës së Kavajës.

Në çdo cep të oborrit, në pika që i fshiheshin pamjes direkte të mikut ishin tre WC (me gropa septike të ndërtuar me tulla me qemer që të mos përhapnin përbërësit ndotës të jashtëqitjeve), nga të cilat dy në përdorim dhe një e mbyllur dhe e “mbytur” me gëlqere të shuar; konit e konit (rreth e qark oborrit) ishin vendosur saksitë (teneqetë e formave të ndryshme) të karafilave, selfionit (borzilokut), lule borës, etj, si dhe “gropat” e rrethuara me gurë kalldromi të trëndafilave dhe hardhive të rrushit, si dhe arkapia që lidhte oborrin tonë me oborrin e Mer Lundrës, në brinjë të së cilës ishte një grumbull gurësh kalldromi rezervë (arkapi nga e cila Mer Lundra u pat shpëtuar prej duarve punonjësve të sigurimit të shtetit dhe pasi pat kaluar nëpër odën e zjermit pat dalë te pusi duke u hudhur me vetëdije të plotë për të dhënë jetën vetëm e vetëm për të mos ia dorëzuar florinjtë njerëzve të Sigurimit të Shtetit, ku pas kësaj ngjarje të trishtuar kalonte e paharrueshmja Vaja e Diut (ija e Conit, Merit dhe Kadriut), një plakë e vjetër tironse e thyer dysh nga mosha, por e dëgjuar, shumë e dëgjuar për ilaçet e saj popullore dhe për “hedhur frymë”; e famshme pothuajse njësoj si Xhep Balla dhe çunat e tij për ilaçet e verdhëzës; në qoshen më të skajshme të oborrit, fshehur nga muri përballë portës së madhe, ishte kafazi i pulave dhe sheshi i vogël ku ndizej lambiku i rrobave, pllakat e gurit, govatat prej druri, teneqet e finjës (hi i pastër) dhe fuçi druri që shërbenin për të futur ullinjtë e vojit.

 

Oda e zjermit, hajati, oda gjumit, quret, rrugica lidhëse dhe pusi

 

E gjatë dhe e gjërë 7 X 7 ml, me një hyrje të madhe dhe një dalje më të vogël, me më pak hijeshi dhe ornamente zdrukthtarie, që dilte te quri i Lies (nusja e Xhajë Mustafait, që vdiq shumë i ri nga tuberkulozi). Për të hyrë te Oda e Zjermit, duhet të kaloje në qoshe të hajatit një sipërfaqe e kufizuar në një gjatësi prej rreth 6 ml dhe gjërësi 4 ml në tre faqet e saj vertikale dhe e hapur kundrejt oborrit mbajtur në shtylla prej druri në fund të të cilave ishin vendosur fole të përgatitura prej guri kalldromi të ngritur rreth 12 cm nga niveli i kalldromit që ishte i njëjtë me gjatësinë e çatisë që varej vertikalisht përmbi mesin e rrëkesë.

Në të majtë të Odës së Zjermit, ishte një odë e vogël rreth 3 X 3 ml, e llogaritur për dy vetë (aty kishte pas ndejtë gjyshi im Kasemi dhe babai i tij Ismaili). Oda e Zjermit ishte e shtruar me baltë të ngjeshur fort, sepse e mbante ujin si të ishte beton dhe nxirrte pak pluhur, qoftë edhe gjatë verës më të nxehtë; lart në mesin e çatisë së pjerrur kishte një dritare pjesërisht horizontale prej qelqi, të quajtur baxhë, nga vinte drita; në një qoshe shiheshin hasrat (rrogozët) e rinj.

Në të dy anët e sipërfaqeve ku nuk kishte dyer, radhiteshin dy sira sergjena me dërrasa të gjëra rreth 25 cm dhe rreth 3 cm të trasha, të veshura me letra të bardha të prera me ojna të ndryshme, ku vendoseshin sipas rradhës kuze (tepsi) prej bakri të veshura me kallaj, të madhësisë nga 2 ml diametri deri te 10 cm diametri; poshtë në njërën faqe vareshin 3 sofra të mëdha në kunja druri të futur thellë në murin e qerpiçit lyer me sherbet të trashë qëlqereje, ndërsa në anën tjetër, në tokë ishin rrjetuar vorbat dhe tavat prej dheu.

Në mes të faqes ndërmjet diagonales ndërmjet derës hyrëse dhe derës dalëse te quri dhe rrugica e pusit, ishte oxhaku me caronin, ky i fundit i ndërtuar prej tulle në formën e një tuneli rreth 1,5 ml, në sipërfaqene sipërme të të cilit ndodheshin dy gropa rrumbullake të baraslarguara nga njëra – tjetra, sipas rastit, vendosej vorba ku zihej grosha, orizi, plonci, këmbët e qëruara të viçit, gjelave të detit dhe të fushës, tavat me dhe pa kapak prej dheu dhe gjymi i përhershëm, mbi të cilin qëndronte kurdoherë njëçengel i varur në trarët e nxirë dhe të shtrembër të çatisë së Odës së Zjermit, atij mjedisi që në të katër stinët dhe në çdo rast feste, gëzimi dhe hidhërimi ishte “parlamenti” i tironsit.

Më duhet të kujtoj se në anën e pasme të oxhakut ishte oxhaku i Kadri Lundrës në odën e tij të zjermit më e vogël se jona, më e moderuar dhe mobiluar nga e shoqja Deja, bijë e familjes Mumajesi, një zonjë e madhe, me një pamje serioze, por me sy të butë, e cila së bashku me Medihan, më patën sajdisur aq e aq herë buzë oxhakut si të isha ndonjë burrë i rritur.

Poshtë baxhës në odën tonë të zjermit, ndën rrezet e dritës qëndronte vegja, ose avlimendi 3 – 4 ml i gjatë, bërë prej druri të fortë dhe të errët, me një stol rreth 1,5 ml të gjërë në krye ku pata parë të ulej shpesh Nona, ose Nurija që e kisha në vend të gjyshes Zenepe që pat vdekur vite më parë se të lindja unë, bijë e fisit tironas Kaiku, motër e Teze Shukut, martuar te fisi Sallaku dhe Minit, martuar te fisi tironas Vathi.

Mbaj mend suvajkat që rrëshqisnin nga njëra anë e vegjes te tjetra ku shtriheshin qindra fije horizontale që thurreshin kryq me fijet që kishte filli i mbështjellë në aksin e suvajkës; pëlhurat ishin me ngjyra të ndryshme, por ajo që të binte në sy ishte e bardha, e kuqja dhe më pak e verdha me jeshilen, që dominonin në cohën e endur në vegjë, me të cilën bëheshin havllitë dhe të tjera pajisje të pajës së gocave të Tironës deri në vitet 50 – të.

Oda e gjumit ishte një diçka që tregonte shpirtin dhe kulturën e tironsit: e ngritur nga sipërfaqja e tokës rreth 60 cm, e lartë rreth 3, 5 ml me tavan dhe dysheme prej druri të veçantë (dyshemeja lahej me rrjetë teli, shkumë sapuni dhe ujë) me dy dritare plot hapsirë, veshur brenda dhe jashtë me një kornizë të gjërë prej druri të tharë dhe përpunuar mirë kundër lagështirës, me një sistem vertikal ndarjesh të futura në dy nga tre foletë e qendrës së kornizës së dritares, mbrojtur nga një rrjetë e hollë teli për mizat dhe mbrojtur me hijeshi me një grilë hekurash të rrahur dhe përdredhur artistikisht në të ftohtë, që dukeshin si kollonat e një teatri antik pas perdeve të punuar me grep prej vajzave tironse.

Çdo odë gjumi, kishte nga një gjylsahone, një kthinë e ngushtë ku laheshin pjestarët e familjes si dhe një dollap me sergjena futur thellë në mur për të vendosur dyshekë dhe jorganë. I njëjti përshkrim vlen edhe për Odën e Miqve, me përjashtim të faktit se kjo ishte dhomë përdhese, mbi sipërfaqen e së cilës ngrihej një dysheme e punuar bukur prej dërrase, shtruar e gjitha me qylym dhe me një oxhak të vogël në krye anas të cilit hijeshonin shiltet dhe jastëkët e mbështetur pas murit, si dhe disa postiqe prej deleje.

Në qoshe te dera qëndronte tagari, një legen prej bakri dhe një gjym i hijshëm që shërbente për të larë këmbët dhe duart para dhe pas buke, ndërsa në anën tjetër ishte dysheklliku.

Quri ishte një odë qerpiçi me një derë të zakonshme me çelës të madh, pa dritare ku mbaheshin rraqe dhe furrikë ku pulat e fushës dhe të detit bënin vezët e tyre nën dritën që depërtonte nga të çarat e çatisë, si dhe pasohej nga një portë me sustë që vetëm shtyhej dhe nuk mbulonte të gjithë hapsirën nga çatia e koridorit deri tek dheu, për të dalë në rrugicën me baltë të ngjeshur e cila në pranverë mbushej nga aroma e kamomilit dhe në pjesën më të madhe të vitit nga frika që krijonin majat e gjetheve të hisllit (hithrit), në fund të së cilës ishte pusi rreth pesëmbëdhjetë metra i thellë me rrethore betoni, brenda me gurë dhe mbuluar me kapanxhë prej druri, veshur me llamarinë xingato; ngjitur me pusin ishte një carac i madh, ku mbështeteshin këndet e ndarjes së tre familjeve të ndryshme, ku gulonin pemë të ndryshme si kumbulla e egër dhe ajo vadare, fiku, ftoi, hurma.

Njerëz të tjerë të njohur të rrugicës “Hajdar Hidi”

Rrugica pati si banor në gjirin e saj, te fisi Balla, përkthyesin e famshëm Robert Shvarc, kritikun letrar Adriatik Kallulli (i cili kur lexoi këtë kujtesë, më tha se në rrugicën tonë pat jetuar edhe inxhinjeri i njohur hebre Marko Menahem te shtëpia e Shpatëve), ashtu siç pati koreografë dhe valltarë të njohur si Fehmi Shaqiri dhe i vëllai i tij Agroni, Shefqet Balla; në memorien e rrugicës do të mbeten gjithnjë emra e nderuar të Rexhep Shpatit, Niazi Boçarit, Riza Hajros, Koço Pogës, Naim Ballës, etj në fushën e shkencës; rrugica nxorri djem dhe vajza me shkollë të lartë aq shumë saqë duhet shumë letër për t’i përmendur të gjithë.

Rrugica “Hajdar Hidi“, ishte një djep i tipografëve të Tironës dhe, padyshim, shembull i shkëlqyer i harmonisë fetare dhe i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërfetare të të gjitha familjeve; si shembull mund të sjell faktin që jo vetëm në zi, por edhe në festa e dasma të parët e familjeve trajtoheshin njësoj si anëtarët e tjerë të familjes, traditë kjo që ka humbur në ditët tona.

 

Rrugica “Hajdar Hidi” dhe Tirona

Në rrugicën “Hajdar Hidi”, ashtu si në gjithë rrugicat e Tironës patën ardhur qytetarë nga vende të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht në vitet 30 – të e më pas, që u integruan shumë shpejt me autoktonët; Tirona, në këtë kuptim që nga caktimi i saj kryeqytet më 1920 në Kongresin e Lushnjes, shfaqet si shembulli i një harmonie që nuk duhet harruar kurrë, sepse përbën një vlerë të përjetshme për të gjithë kombin shqiptar.

Vlerat e Tironës nuk mund të shfaqen pa monumentet e saj.

Megjithëatë, kryesorja ndër monumentet e Tironës janë vetë qytetarët e saj, ose mesazhi që ata i përcjellin të gjithë atyre që jetojnë dhe ushtrojnë veprimtari politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore në Tironë; në këtë kuptim ata janë qytetarë të Tiranës.

Kasem Seferi

Share: