Home KRYESORE Nuk ka si ky burg…! Nga Altin Bamllari

Nuk ka si ky burg…! Nga Altin Bamllari

E para herë që dola jashtë kufirit ishte viti ‘88. Bashkë me pesë nxënës të tjerë, hipëm në mikrobuzin e Ministrisë së Arsimit dhe u nisëm drejt Greqisë, për të marrë pjesë në një shkollë verore me fituesit e Olimpiadave të Matematikës nga gjithë Ballkani. M’u duk sikur isha dy javë në Parajsë, por në atë kohë, atdheut tim nuk isha i aftë t’i vija një emër. Mbaj mend që pata një përzjerje të fortë në stomak rrugës në kthim, sapo kaluam Kakavijën.

Hera e dytë ishte viti ’91. Kishin kaluar plot katër muaj nga Lëvizja Studentore e dhjetorit dhe unë vendosa të lë studimet në mes. Po iknin të gjithë. Pse mos ikja edhe unë? Për më tepër kisha dhe arsye. Atletet dhe xhinset, që kisha blerë në Greqi, më ishin shqepur aq shumë, ca nga koha e ca protestave, sa m’u duk vetja lakuriq. Mund ta kisha blerë një pardesy, nga ato të bardhat, por unë i rrashë shkurt, t’ia mbath. Në mendje më rrinte “parajsa”. Shqipëria më ngjante me një çmendinë dhe vetja një torrollak që kishte humbur busullën. Pesë ditë me radhë qëndrova para hyrjes së shtëpisë së konsullit grek derisa e bëra ta ulë një mëngjes xhamin e makinës. Të nesërmen mora vizën. Sërish në Greqi. Këtë radhë, në drejtim të paditur. Parajsa e para tre vjetëve ishte zhdukur. Megjithatë, i vura një emër. Në fillim e quajta Zhgënjim, pastaj Mundësi e më vonë Shkollë Jete.

Hera e tretë ishte viti ’97. Kisha katër vjet që isha kthyer dhe isha bërë gjasme biznesmen. Kisha krijuar edhe familje. Tirana e asaj kohe ngrysej e gdhihej nën krisma armësh. E kishim në shtëpi edhe ne një pushkë. Na e fali komshiu. Na duhej për t’u mbrojtur. Se nga kush, këtë s’e mësova asnjëherë. Sidoqoftë, një ditë u çova herët në mëngjes e vendosa të ik. Në aeroportin e Rinasit mbizotëronte rrëmuja. Njerëzit përplaseshin me njëri-tjetrin dhe frika u lexohej në sy. Unë shtrëngoja në xhep një pashaportë me vizë fallco dhe i jepja kurajë bashkëshortes, e cila shtrëngonte në gji djalin e mitur. Të paktën të niseshin ata. Një polic na preu hovin. Një tjetër na mbylli syrin. Një i tretë erdhi të bëjë pazar. Në minutën e fundit kërciti vula. Ikën. Fati ishte me ta edhe në Aeroportin e Athinës. Një javë më vonë avullova edhe unë. Pas lashë Ferrin, ndërsa matanë gjithçka ishte bërë e pasigurtë.

Hera e katër… Nuk ka ndodhur akoma. Shqipëria nuk është më ajo e mjera, çmendina apo ferri i dikurshëm. Shumë shumë mund t’i ngjajë një burgu të sigurisë së ulët, ku ke të garantuar tre vakte ushqim, ujë të ngrohtë, televizor, celularin nën jastëk dhe hashashin me llullë. Drejtorin e kemi babaxhan dhe gardistët të korruptuar. Por më e rëndësishmja në këtë burg është ajo që, mund të arratisesh kur të duash.

Nuk ka si ky burg.

Share: