Home KRYESORE Tritoli në makinë, merret në mbrojtje familja e prokurorit Arjan Muça

Tritoli në makinë, merret në mbrojtje familja e prokurorit Arjan Muça

Një ditë pas shpërthimit me lëndë plasëse të automjetit të prokurorit Arjan Muça, policia e Tiranës e ka marrë në pyetje prokurorin, i cili ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë, por mendon se ngjarja lidhet me detyrën e tij si prokuror.

Tv Klan raporton se në këtë situatë prokuroria ka marrë në mbrojtje familjen e tij, ndërkohë që hetuesit vijojnë kqyrjen e kamerave të sigurisë në zonën ku ishte parkuar automjeti.

Shpërthimi ndodhi ditën e djeshme te “Komuna e Parisit”, në Tiranë. Makina Mercedes e prokurorit ishte e parkuar në katin nëntokësor të parkingut së një qendre tregtare. Tritoli ishte vendosur në pjesën e përparme dhe shpërthimi shkaktoi dëme materiale, por fatmirësisht asnjë person të lënduar.

Prokurori Arjan Muça punon aktualisht te Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe merret me dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kalojnë në Vetting. Mësohet se automjeti, që i është vendosur lënda plasëse është i regjistruar në emër të bashkëshortes së Arjan Muçës, Gentiana Muça, e cila punon gjithashtu në sistemin e drejtësisë si gjyqtare./Opinion.al

Share: