Home KRYESORE PËRSE U DUHET THËNË JO INCENERATORËVE

PËRSE U DUHET THËNË JO INCENERATORËVE


Nga Dr. Enriko Ceko

Themi që do shkojmë në Evropë. Në Evropë nuk shkohet me plehra nëpër rrugë dhe me mentalitet shkatërrimi të burimeve të vlefshme për ekonominë dhe zhvillimin e qendrueshëm dhe duke vepruar në kundërshtim me parimet e përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.

Për të qeverisur dhe zgjidhur problemin e manaxhimit dhe eliminimit të mbetjeve urbane, rurale, industriale, spitalore, etj, Bashkimi Evropian ka nxjerrë udhëzime të ndryshme që në fund të fundit synojnë reduktimin e mbetjeve që në origjinë, rikuperimin e ripërdorimin e tyre, manazhimin e tyre në mënyrë shkencore dhe rikuperimin maksimal të materialeve dhe energjisë, duke shmangur depozitimin dhe djegien.

Sa më sipër, tashmë flitet për teknologji që trajtojnë mbetjet dhe fraksionet e tyre me teknologjit ë ftohta, që i shndërrojnë mbetjet në produkte dhe kjo jo vetëm që nuk këkron ndërtimin e inceneratorëve, por nuk kërkon edhe depozitimin e mbetjeve në landfille.

Grumbullimi i mbetjeve në landfille sjell probleme shumë serioze për mjedisin dhe popullatën, për shkak të emetimeve në atmosferë dhe ndotjen e ujrave nëntokësore. Emetimet në atmosferë nga landfillet përfshijnë dioksidin e karbonit, metan, amoniak, përbërje organike të avullueshme, merkatane, sulfur hidrogjeni, pluhura, etj, ndërsa likuidet që rezultojnë nga procesi i depozitimit të mbetjeve në landfille, ndotin ujrat në nëntokësore duke shtuar në këro ujra substanca të tilla si klorure, nitrite e nitrate, sulfate, metale, kalium, magnez, mangan, arsenik, cianide, krom, merkur e metale të tjera të rënda si benzen, toluen, benzo dhe fluorin, etj. Kjo është e vërtetuar në mënyrë shkencore nga dhjetra e qindra studime të kryera anëembanë globit. Tashmë dihet se në një distancë rreth 10 km nga vendepozitimet e mbetjeve në landfille incidenca e sëmundjeve që lidhen me aparatin respirator dhe organet e tretjes janë shumë të shpeshta se në zonat ku nuk ka landfille.

Konkretisht, landfilli, sipas përvojës së vendeve që e kanë aplikuar, sjell defekte në lindje dhe fëmijë me peshë të ulët si i rezultat i ekspozimit të nënave të tyre në mjedise me nivel të lartë dikosid azoti dhe pranë landfilleve vërehet një nivel i lartë sëmundjesh respiratore, kanceri në mushkëri, etj, që vijnë si rezultat i çlirimit të sulfidit të hidrogjenit. Kjo është e vërtetuar në mënyrë shkencore nga dhjetra e qindra studime të kryera anëembanë globit.

Meqënëse këto kohë po flitet shumë për inceneratorët, mendoj së objektivi i debateve orientohet me qëllim në lidhje me aspektet ekonomike dhe korrupsionin, duke lënë mënjanë të vërtetën e madhe që djegia e mbetjeve e çfarëdolloji dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë shëndetin e qytetarëve, pasi nga djegia e mbetjeve çlirohen në atmosferë grimca shumë të vogla, një pjese të të cilave ende nuk u është gjetur përbërja, që depozitohen në trupin e njeriut dhe specifikisht në valvolat e zemrës, rrugët aspiratore, organet e tretjes, etj, duke shkaktuar sëmundje teë pashërueshme që rezultojnë me humbjen e jetës.

Pra, duket sheshit se debatet parlamentare dhe përfshirja e segmenteve të caktuara të politkës në këtë çështje vetëm sa e largon vëmendjen nga problemi. Duket se këta që merren me dabete se ka apo nuk ka korrupsion në lidhje me mbetjet duan që të fshehin të vërtetën se landfillet dhe inceneratorët dëmtojnë shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin, vetëm dhe vetëm për fitime personale me anë të procedurave korruptive të licensimit dhe operimit të këtyre bizneseve.

Tashmë dihet se në një distancë deri në 25 km përreth zonave ku janë ndërtuar inceneratorët, incidenca e sëmundjeve të zemrës, qarkullimit të gjakut, rrugëve aspiratore, organeve të tretjes, etj, janë shumë më të shpeshta se në zonat e tjera ku nuk ka landfille dhe inceneratorë.

Në lidhje me inceneratorët duhet thënë se (1) teknologjia e tyre është jo efikase në lidhje me rikuperimin e materialeve dhe të energjisë, (2) kjo teknologji ekspozon qytetarët dhe zonën përreth ndaj rreziqeve të shumta shëndetësore dhe mjedisore që lidhen me emetimet në atmosferë të metaleve të rënda, dioksinave dhe furaneve, grimcave dhe nanogrimcave që depozitohen në trupin e njeriut në zemër, mushkëri, stomak, etj (3) kjo teknologji përveç se nuk eliminon problemin, krijon një problem të ri, duke i shndërruar mbetjet në substanca shumë të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin, të tilla si hiri i rëndë, hiri i padjegshëm, hiri që qendron pezull në ajër, etj, të tëra këto grimca që janë shumë të vogla dhe lehtësisht të transmetueshme me anë të erës në ajër mbi zonat e banuara. Incenerimi çliron gazra të dëmshme për shëndetin e njeriut, që vijnë nga djegia e mbetjeve të infektuara, duke hedhur në atmosferë ndotës të ndryshëm që dëmtojnë shëndetin e qytetarëve dhe degradojnë mjedisin. Këta ndotës janë metale, gazra acide, okside, azot, sulfur, dhe shumë substance të tjera që ende nuk e dimë se ç’farë janë por që dihet se janë toksike. Ndikimi kryesor në shëndetin e qytetarëve është shtimi i sëmundjeve kanceroze dhe i simptomave respiratore, ndërsa në mjedis efektiet janë ngrohja globale, acidifikimi, emetim ozoni, formim smogu, eutrofikim dhe toksikim i bimëve dhe kafshëve, shumica e të cilave përdoren për konsum nga qytetarët. Inceneratorët çlirojnë monoksid karboni, gazra dhe pjesëza acide, si dhe metale të rënda hlmuese si kadmium, plumb, merkur, krom, arsenic, berilium, etj, si dhe çlirojnë në ajër dioksina dhe furane, të dëmshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Përballë këtyre rreziqeve Bashkim Evropian ka përcaktuar teknikat për grumbullimin, përdorimin, përpunimin dhe eliminimin e mbetjeve, në mënyrë që nga këto teknika të përftohen materiale, energji dhe eliminim i dëmeve ndaj shëndetit të qytetarëve dhe ndaj mjedisit.

Konkretisht, në mjaft vende me anë të përpunimit të mbetjeve prodhihen materiale të cilat zëvendësojnë qymyrin në proceset e prodhimit të çimentos, gëlqeres, oksidit të magnezit, etj, duke realizuar kështu parimet e ekojnomisë cirkulare.
Duket se manaxhimi i mbetjeve në Shqipëri është në një krizë të thellë konceptuale, që vjen për shkak të të korrupsionit, paaftësisë, keqmanaxhimit dhe injorancës që ka përfshirë pjesën më të madhe të atyre që janë përfshirë në këtë sektor, kryesisht administratën publike.

Ajo që nuk ka asnjë sens është fakti se edhe përse dihet fare mirë se inceneratorët dëmtojnë shëndetin e qyterarëve, përsëri vazhdohet të financohen dhe të pretendohet se me anë të tyre do prodhihet energji elektrike, kur materialet që digjen në inceneratorë janë me fuqi kalorifike të ulët dhe me rreth 50% lagështirëe.

Manaxhimi i mbetjeve kalon nëpër disa faza që janë reduktim (reduse), ripërdorimi (reuse), riciklimi (recycle) dhe rijetësimi (recovery).

Në Shqipëri nuk ka aspak përvojë në lidhje me ndarjen në burim të materialeve të riciklueshme, futjes së teknologjive të trajtimit paraprak, depozitimit të mbetjeve, etj.

Objektivi i Strategjisë Kombëtare për vitin 2030 është që 55 % e mbetjeve të riciklohen, ndërsa në fakt po ecet në drejtim të kundërt.

Konkretisht, industria e riciklimit në Shqipëri është drejt falimentimit, kur përvoja evropiane dhe më gjerë tregon se për çdo 10.000 ton mbetje të ricikuara krijohen 36 vende të reja pune, shumë më shumë se me anë të manaxhimit dhe eliminimit të mbetjeve me teknikat e landfillebve dhe inceneratorëve. Riciklimi ofron lëndë të parë për industritë, nga materialet që i sjell në formë të përshtatshme për përdorim prej këtyre industrive. Këto janë lëndë të parë për të vazhduar ciklin e prodhimit të produkteve dhe shërbimeve, për të cilat ka kërkesë ne treg.

Një problem madhor në manaxhimin e mbetjeve në Shqipëri është informaliteti i subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e grumbullimit të mbetjeve. Mendohet se në tërë territorin e vendit janë rreth 30.000 individë që realizojnë grumbullim mbetjesh të të tëra llojeve, por që kryesisht operojnë në ilegalitet, të pasiguruar dhe shpesh pa asnjë kusht për të garantuar shëndetin dhe sigurinë në punë. Këta persona, duke punuar në kushte tërësisht të papërshtatshme, janë subjekt i transmetimit të sëmindjeve nga venddepozitimet e mbetjeve në zonat urbanëe te familjet e tyre, pra te fëmijët e tyre. Le të supozojmë se familjet e tyre janë të imunizuara për shkak të ekspiozimit për një kohë të gjatë me këto sëmundje, por në fund të fundit, familjarët e këtyre personave jetojnë me ne të tjerët në mjedise pune e shkolle dhe kështu bëhen shkak për transmetimin e sëmundjeve, viruseve, bakterieve, kërpudhave dhe substancave të rrezikshme në vende pune, shkolla, spitale, mjete transporti qytetar e ndërqytetas. Pra na e transmetojnë sëmundjen, virusin, bakterin, kërpudhën, substancën e rrezikshme ne të tjerëve.

Riciklimi (1) pastron mjedisin, (2) konservon burimet natyrore, (3) redukton konsumin e energjisë, (4) nxit rritjen ekonomike, punësimin, ofron lëndë të para për industritë dhe (5) nuk paraqet probleme shëndetsore për qytetarët, duke treguar kujdes për kushtet e punës së atyre që merren me riciklim.

Në fakt, Shqipëria dhe shqiptarët gjenden përballë një fakti. Më 12 tetor 2012 Komisioni Evropian ka aprovuar kandidaturën e Shqipërisë për hyrjen në Evropë. Për të ecur më tej në këtë rrugë, përveç të tjerash, një ndër aspektet themelore është mbrojtja e mjedisit. Politika mjedisore e BE-së bazohet në parimet e:

(1) Përkujdesjes,

(2) Veprimit parandalues,

(3) Korrigjimi në burimin e dëmit të shkaktuar nga ndotja dhe në parimin

(4) “Ndotësi Paguan”. Për këtë hartohen programe afatgjata veprimi, që në më të shumtën e rasteve janë pjesë e negociatave ndërkombëtare mjedisore.

Objektivat e BE-së deri në vitin 2020 ishin parandalimi i krijimit të mbetjeve, përgatitja e mbetjeve për ripërdorim, riciklimi i mbetjeve, rikuperimi në tipe të tjera dhe reduktim deri në zero të teknikave të landfillit dhe incenerimit. Duket se Shqipëria edhe pse pretendon që të jetë faktor i rëndësishëm në ekonominë e rajonit dhe një vend me turizëm të zhvilluar, as që e ka në objektiv shëndetin e qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit dhe kjo duket me qasjen e gabuar në lidhje me landfillet dhe inceneratorët të cilëve u duhet thënë urgjentisht “JO”, në mënyrë përfundimtare dhe një herë e përgjithmonë.

Share: