Home KRYESORE Shqipëria qeveriset si në epokën paramoderne! Nga Mentor Kikia

Shqipëria qeveriset si në epokën paramoderne! Nga Mentor Kikia

Kur ra tërmeti në 26 nëntor 2019, në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, IGJEUM, u ndërpre energjia(si masë sigurie). Paisjet regjistruan vetëm 15 sekonda lëkundje. Pjesa tjetër e tërmetit nuk u dokumentua. Sepse ky institutit nuk kishte një rrjet energjie paralel. Për shumëkënd kjo është një gjë pa rëndësi,
ndërsa për studiuesit kjo është dramatike.

Në korrik të këtij viti, kur një jaht luksoz u shfaq në portin e Durrësit për tu furnizuar me karburant, kryeministri Edi Rama postoi një foto në faqen e tij, me nje konstatim shumë optimist: Shqipëria do të bëhet superfuqi rajonale ne turizëm. Në fakt kjo nuk është hera e parë që zyrtarë shqiptarë e referojnë këtë parashikim. Por ku e mbështesin ata këtë konkluzion? A ka ndonjë studim që mbështet këtë parashikim të cilit i referohet kryeministri? Përse do të jemi kampionë të turizmit ne dhe jo malazezët apo kroatët? Asnjë studim nuk e thotë këtë.
Në mesin e mandait të dytë, ish kryeministri Sali Berisha dha një “direktivë” për fermerët; mbillni ullinj, shegë, arra, lajthi…dhe kjo u mbështet edhe me politika subvencionuese. Pës kësaj direktive, shumë fshatarë mbollën ullinj nëpër fushë, kodra e male, duke zënë tokët fushore e duke shpyllëzuar zona me shkurre për të mbjellë arrorë e farrorë… Por mbi çfarë studimi mbështetej kjo direktive politike? Çfarë do të sillte kjo për ekonominë? Sa treg mund të ketë vendi ynë? Sa mundësi ka për ekport? Çfarë varietetesh duhej të mbilleshin në kushtet reja të klimës në secilën zonë?

Çfarë ka ndodhur pas 15 vjetësh? Janë mbjellë qindra mijëra ullinj të rinj. Në shumë zona ato nuk prodhojnë(shembull tipik rajoni i Dumresë ne Elbasan), sepse kultivarët e mbjellë nuk përshtaten me zonën. Por edhe aje ku është rritur prodhimi, ka problem tregu. Sepse kjo direktivë nuk u mbështet në asnjë studim, dhe nuk u shoqërua me asnjë masë tjetër.

Shqipëria është ende ndër vendet me rezerva të mëdha të ujërave sipërfaqësore. Por, si pasojë e keqmenaxhimit, shkatërimit të sistemit vaditës e ujëmbledhës, ne po shfrytëzojmë shumë fort rezervat nëntokësore, përmes puseve. Vetëm brenda dy dekadash në fshatra çdo familje ka shpuar më shumë se një pus, për nevojat e familjes dhe për ujitje. Niveli i ujërave nëntokësore ka rënë ndjeshëm. Por këto ujëra janë praktikisht të parikuperueshme në kushtet e reja të klimës. Ne, në vend që të shfrytëzojmë rezervën mbitokësore qe e kemi ende me bollëk, shfrytëzojmë atë nëntokësore që nuk zëvendësohet më, dhe që do të jetë shpresa e fundit e mbijetesës, në kushte ektreme.

Ky fakt, për pjesën dërrmuese të njerëzve, madje edhe të nëpunësve të Ministrisë së Mjedisit, p.sh, mund të duket një hall qesharak, pasi puna më e rendësishme e tyre është të shpërndajnë foton dhe videot që poston ministri dhe kryeministri me bukuri natyrore dhe jahte turistike. Por, për një studiues të klimes dhe ujërave, ky është një alarm.
I solla këta shembuj më lart për të treguar se ne kemi neglizhuar tërësisht studiuesit dhe kërkimin shkencor në mënyrën se si qeverisim. Në vitin 2006, qeveria e Z.Berisha prishi të gjitha institutet e kërkimit shkencor në vend, me pretendimin se ishin disa azile, meqe kërkuesit ishin të vjetër dhe ekonomisë së tregut ato nuk i duheshin më. Këto institutite iu bashkëngjitën universiteteve, por që atëherë janë shuar thuajse tërësisht. Sot vëmendja për kërkimin shkencor është thuajse zero. Fondet që akordon qeveria janë thjeshtë serum për këtë fushë, duke u kufizuar vetëm me ndonjë publikim. Padyshim, mos prisni që ne të prodhojmë një model telefoni më të mirë se Iphoni, apo ndonjë anije kozimke. Kërkimi shkencor, janë studime në fushën e bujqësisë, ujërave, fushën e demografisë, gjeologjisë, turizmit… etj.

Hysen Laçej dhe Ahmet Osja, kanë qenë dy shkencëtarë me përmasa ndërkombëtare, në Institutin e Misrit dhe Orizit në Shkodër. Ata punuan në fushën e kërkimit dhe krijuan farëra misiri që shënuan rendimet në rekorde ndërkombëtare të prodhimit.

Ali Lazareni dhe Kdri Kyçyku, kane qene shkencetare të nivelit ndërkombëtar në kërkimet shkencore në kulturën e duhanit. Kryqëzimet genetike, bënë që ata të krijon kultivarë për çdo zonë duhakultiviese, në përshtatje me mikroklimën.
Enciklopedia mund të jetë e gjatë, në fushën e ujërave, ku Shqipëria falë punës së kërkuesve shkencorë u rendit në toplistën e vendeve të Europës për pasuri ujore, përmes ndërtimit të mbi 630 liqenenve artificiale për ujitje.

Sot gjithëçka është braktisur!

Sipas BIRN në, 11 universitete publike në Shqipëri, nga viti 2015 deri në vitin 2019, buxheti i shtetit dhe AKKSHI financuan në total pak më shumë se 110 milionë lekë për kërkimin shkencor në vend. Shumica e tyre ose 73.4 % e totalit janë alokuar në vitin 2019, pas protestave masive të studentëve si pjesë e Paktit për Universitetin, si masë për të dekurajuar mbështetësit e protestës.

Yuval Noah Harari, në librin tij madhështor, ”Sapiens – Nje histori e shkurtër e njerëzimit”, shkruan: Në perandoritë paramoderne, udhëheqësit nuk investonin në kërkimin shkencor për të nxitur zhvillimin. Ata financonin poetët, ligjëruesit popullorë dhe klerikët që të flsinin dhe shkruanin mirë për ta, në mënyrë që të siguronin qëndrim sa më gjatë dhe më të qetë në pushtet”.
Në fakt njerëzimi u fut në epokën e madhe të zhvillimit, kur mësoi të financojë kërkimin shkenor, për të rritur eviçensën e punës. Që do të thotë se për të njëjtën sipërfaqe toke, të marrësh më shumë prodhimin, dhe për të njëjtat orë pune, të prodhosh më shumë objekte në një fabrikë.

Në 30 vjet, pasi skatërruam atë kërkim shkencor që ishte instaluar në kohën e komunizmit, qeveritë në Shqipëri janë investuar fuqimisht pikërisht në atë që bënin perandorët paramodernë.

Ato investojnë fort në media dhe propagandë, për të treguar mrekullinë që ne s’e shikojmë dot, për të manipuluar njerëzit dhe për të krijuar një realitet imagjinar, të cilin në duhet ta perceptojmë, edhe nëse nuk e shikojmë dhe nuk e prekim.

(Artikulli eshte botuar ne abcnews.al)

Share: