Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Vrasja e studiuar me kronometër! Lala: Ja kush qëndron pas! Zheji: Shteti...

Vrasja e studiuar me kronometër! Lala: Ja kush qëndron pas! Zheji: Shteti ka ngritur duart lart?

Analisti Artur Zheji dhe gazetarja e kronikës, Klodiana Lala kanë diskutuar në emisionin “Pikat mbi i” mbi atentatet e fundit kriminale në vend dhe faktin që shteti nuk po reagon për të ndalur gjakderdhjen në rrugët e Shqipërisë.

Lala theksoi se fshati Nikël është një bazë e vrasësve me pagesë dhe Shqipëria e Mesme aktualisht një pikë shumë e nxehtë ku do të vijojnë të lahen hesape mes bandave, në një kohë që Elbasani ka rënë në qetësi.

Ndërkohë, Zheji theksoi se bandat kriminale kanë shfrytëzuar hapësirat ligjore dhe drejtuese që ka lënë shtetit në Shqipëri për të krijuar anti-shtetin, pasi ata diktojnë edhe votën e zgjedhjet e qytetarëve në zonat ku operojnë.

Lala në vijim iu përgjigj konstatimit të Zhejit duke thënë se nëse shteti nis të luftojë anti-shtetin do të ketë viktima në radhët e drejtësisë, njëjtë siç ndodhi në Italinë e Borselinos dhe Falkones.

DISKUTIMI

Klodiana Lala: Kanë arritur të dalin dhe janë të bindur në mendjen e tyre se edhe nëse kryejnë një krim të rëndë ata mund ta blejnë drejtësinë. Ka të bëjë me forcat e policisë, me militant dhe policë të korruptuar ose të paaftë për të luftuar krimin e organizuar. Mund të kesh plot pajisje inteligjente, por problem është se kapaciteti financiar që kanë grupet kriminale në këtë vend, që e thonë raporte ndërkombëtare. Një grup kriminal, të cilit nuk i preken milionat, blen punonjës të drejtësisë, të policisë dhe kudo. Dhe duke patuar kontroll të territorit, synojnë nëpërmjet njerëzve pa rekorde të marrin para publike me tendera nga agrobiznesi apo bashkitë e qyteteve të ndryshme për mbeturinat. Ata mund të detyrojnë qytetarët t’i japin votën një force politike ose një tjetër. Në zonën e veriut dhe Shqipërinë e Mesme ka problem. Nikla ka probleme. Mjetet digjen aty, te “Ura e Gjolës”. Të gjithë vrasësit me pagesë vijnë nga ajo zonë. Duhet të ketë një strategji ndryshe. Pse pati sukses policia në Lazarat. Nuk ishte suksesi I një njeriu të vetëm, njerëzit u ndërgjegjësuan, kushtet politike ishin pjekur.

A është dorëzuar shteti se nuk e ka infrastrukturën të luftojë krimin e organizuar?

Artur Zheji: Nikla, Bubqi janë baza jo territore ku digjen makina. Laboratorë të mirëfillta aty se janë gjetur eksploziv. S’kemi të bëjmë më me banda të vogla, pro ushtri të organizuar. Kjo është Anti-shteti. Një infrastrukturë shumë e organizuar që të gjitha hapësirat që lë shteti ligjore, institucionale i zë ajo dhe ka duel të vazhdueshëm me shtetin. Edhe Italia që ka një përplasje të thellë shtet-antishtet, herë fiton njëra e herë tjetra. Por këtu tek ne s’ka luftë. Nuk ka nisur akoma lufta ndaj anti-shtetit.

Derisa shteti në shumë raste e shohim si spektator, është entitet neutral. Vriten këta për çështje malli, çështje lekësh, shteti nuk gjen dot tempin që të futet në mënyrë domethënëse për të ndaluar gjakderdhjen.

Klodiana Lala: Nuk ka vullnet politik!

Artur Zheji: Them se është më shumë se kaq. Se në momente të caktuara në fushata klasa politike i përdor këta për qëllime elektorale. Edhe në Itali Demokracia Kristiane që lidhej me mafien siçiliane, fitonte me 90% në Siçilin me 6 milionë banorë. Në momentin që politika të ketë divorc me krimin e organizuar atëherë do fillojë lufta e shtetit me anti-shtetin.

Klodiana Lala: Në komentin që do ketë luftë shtet dhe anti-shtet do të ketë për fat të keq viktima në radhët e njerëzve të drejtësisë se këtë tregon Italia. Mua më shqetëson viktima kolaterale. Në masakrën e Fushë-Krujës dhe rastin e shpërthimit me tritol, mendoje po të kishte pasur njerëz të tjerë. Ata nëse do shihnin se qytetarët do ishin dëshmitarë mund t’i kishin vrarë. Imagjinoni riskun që rëndon mbi qytetarët shqiptarë. Ne kishim një të ;lënduar te Aleksandër Sadikaj, por po të ishte më afër do ishte kthyer në viktimë kolaterale. Këtu duhet vënë theksi, a është policia jonë e gatshme për të nisur luftën frontale me anti-shtetin.

Artur Zheji: Policia jonë është në situatë sanduiç. Se ka eprorë që bashkëpunojnë me bandat, se ndryshe nuk shpjegohet kjo lirshmëri. Ne befas i shohim shefat me një vilë këtu, me pushime luksoze, me fëmijët në shkollim jashtë. Nëse politika është e detyruar të krijojë divorcin me këtë lloj bote, gradualisht fillon përplasja. Edhe në rrjetin kryesor të policisë atëherë do zgjidhen njerëz të pastër. Këtu ka eksponentë policie që i zgjidhin bandat kriminale. E zgjedhim këtë se e duam ne thonë ata. Pra janë përcaktues të emërimeve në nivele të larta në polici. Ça do iki të vritet ai kur sheh shefin që është në rehatin e vetë, kur ky punon për bukën e fëmijëve.

Nga ana e tij analisti Zheji tha se shteti në këto ngjarje të rënda është thjesht spektator.

“Çështja është se vijmë nga një stinë politike po bëhet më e nxehtë se stina e korrikut që jemi. Debatet janë të shumta, por interpelancë për të drejtën e jetës nuk po shoh akoma. Këtu krimet po bëhen në vendet publike. Vrasjet ndodhin nuk kemi intrumenta që të ndjekin vrasësit. Kjo është shumë dramatike. Por kjo i ka dhënë shumë kurajo krimit që të veprojë ditën me diell, dhe shteti është një spektator i padëmshmëm në skenën e krimit.

Kaq shumë është sofistikuar krimi?

Gazetarja Klodiana Lala:Vendi ku ishte zgjedhur nuk i jepte mundësi ku të mund të largoheshin, nga ura është shumë e vështirë të kalosh. U zgjodh momenti i drekës. Ekzekutorët janë kujdesur për të mos lënë shenja. pra kanë zgjedhur këtë kohë të nxehtë ku nuk ka lëvizje për shkak të vapës. Në vendin e ngjarjes u gjetën 60 gëzhoja dhe në dy drejtime të kundërta u gjetën dy automjete të djegura. krimi është bërë shumë agresiv, atentatet i kemi parë shumë të sofistikuara. Specialistët e zonës që mendohet të kenë informacion nuk kanë dhënë.

Zheji: Ne duhet t’i kërkojmë Erdogan të na e zgjidhë këtë punë, se i fali kryeministrit aeroplan, të na japë edhe ca dronë Bajraktar. Njerëzit e botës së krimit që  e dinë që mund të jenë nën shenjestër, në vëzhgim gjithmonë ndërrojnë itinerarin.

Klodiana Lala: Shpesh zgjidhen vende ku përçojnë mesazhe, në akset kryesore të vendit. Tek masakra e trefishtë ekzekutorët kishin përdorur një armë shumë të sofistifikuar, mendohet dhe dyshohet se është një vrasje me pagesë. Njerëzit e botës së krimit asnjëherë nuk ndjekin të njëjtin itenerar, më shqetëson fakti që këto ngjarje po e tronditin sigurinë në vend. Këto ngjarje duhet zbardhen. Kujtojmë masakrën e Bradasheshit, ku nga ajo ngjarje krimi në Elbasan mori një revansh të tmerrshëm. Pika e vlimit është masakra e Fushë Krujës, familja Martinaj ka përplasje, është Lezha në mes, Shkodra, Fushë Kuqa, Nikla.. Ka aq shumë mllef dhe për fat të keq më duhet të mendoj se ka nisur lufta.

Share: