Home Gjeo-Ekonomia Projektligji, forca ushtrie jashtë vendit me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes

Projektligji, forca ushtrie jashtë vendit me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes

Dërgimi i forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit për misione humanitare apo emergjenca civile, si edhe kalimi i forcave të huaja ushtarake brenda territorit është i rregulluar me ligj. Por koha e gjatë e harxhuar nga institucionet e larta në Shqipëri, për të dërguar trupa shqiptare në Turqi, në ndihmë të situatës së krijuar pas tërmetit shkatërrimtar të 6 shkurtit ka nxjerrë në pah probleme të zbatimit në praktikë të ligjit.

Së fundmi, Ministria e Mbrojtjes ka hartuar një projekt për ndryshime të ligjit aktual. Në draftin e nxjerrë për konsultim publik, vendimi për dërgimin e forcave ushtarake jashtë vendit për misione/operacione të drejtuara nga NATO dhe BE nuk është më ekskluzivitet i qeverisë dhe po ashtu, nuk merret më pëlqim paraprak i Kuvendit.

Sipas draftit, vendimi në fjalë merret me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, deri në nivel kompanie dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, mbi nivel kompanie. Në çdo rast, kërkesa e qeverisë shqyrtohet nga Kuvendi brenda 7 ditëve.

Tjetër problem i konstatuar në ligjin aktual është detyrimi për të shoqëruar me Polici Ushtarake të gjitha forcat e huaja gjatë kalimit transit nëpër territorin shqiptar. Në relacionin e draftit pohohet se duke qenë se Shqipëria është një urë lidhëse dhe kërkesat për kalim transit të forcave tëhuaja ushtarake janë të shumta në disa raste Policia Ushtarake gjendet në vështirësi për shkak edhe të mungesës së burimeve. Për këtë arsye, në draft parashikohet se shoqërimi i autokolonave ushtarake të huaja nga Policia Ushtarake do të bëhet vetëm nëse kërkohet nga shteti përkatës.

Qëllimi i projekt-ligjit është lehtësimi i procedurave dhe plotësimi i vakumeve ligjore, qoftë në vendimmarrjen e pjesëmarrjes së forcave shqiptare ne emergjenca civile jashtë vendit, apo e forcave të huaja në emergjenca civile brenda vendit. / Nga Armand Bajrami, A2CNN/

Share: