Home I pakategorizuar Botërori i shahut, ky 8-vjeçar shqiptar përfaqëson Gjermaninë

Botërori i shahut, ky 8-vjeçar shqiptar përfaqëson Gjermaninë

Tom Dordeviç, 8 vjeç, është një prej pjesëmarrësve në Kampionatin Botëror të shahut për fëmijë, që u organizua në qytetin bregdetar të Durrësit.

Tomi është spikatur përgjatë këtij evenimenti për shkak të origjinës së tij të përzier. Ai ka babain nga Vlora dhe nënën kroate. Tomi është djali i dy emigrantëve që kanë krijuar jetën e tyre në Gjermani.

Edhe pse nuk e flet gjuhën shqipe, Tomi nuk e fsheh se e pëlqen Shqipërinë, vendin ku jeton gjyshja e tij.

“Kam gjyshen time në Shqipëri. Shqipëria është një vend i bukur dhe mua më pëlqen sepse këtu ka diell gjithë kohës dhe pak ditë me shi. Kjo është një ndër gjërat e mira të Shqipërisë. Kam nisur të luaj shah kur isha 6 vjeç, dhe në këtë turne kam grumbulluar 4 pikë”, shprehet Tom Dordevic.

Në këtë ngjarje sportive, ishin të pranishëm fëmijë e prindër nga vende të ndryshme të botës, të cilët nuk ngurruan të shprehnin mendimin e tyre për Shqipërinë dhe aktivitetin e organizuar të shahut.

“Jemi të kënaqur që ndodhemi këtu. Është një vend i bukur plot diell, mikpritës dhe ushqim të mirë, na pëlqen. Organizimi është shumë i mirë”, thotë një prind i huaj për Top Channel.

“Jemi nga Bullgaria dhe kjo është hera e parë në Shqipëri, nuk kishim ardhur ndonjëherë kaq larg, dhe ja ku jemi në këtë turne. Nuk kemi parë shumë nga Shqipëria, por bregdeti është i bukur dhe organizimi mjaft i mirë. Fëmijët po argëtohen dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi”, shprehet një tjetër prind.

Kampionati botëror i shahut për fëmijë është ngjarja më e rëndësishme sportive në nivel ndërkombëtar, mbajtur në vendin tonë.

Sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinçi, deklaroi se objektivi ishte promovimi i këtij sporti te të rinjtë.

“Synonim një pjesëmarrje të madhe por surpriza ishte pjesëmarrja masive e shahistëve nga vende të largëta. Kishim vështirësi, por nuk kishin rëndësinë që kishte objektivi ynë për të organizuar një aktivitet të tillë dhe për të promovuar shahun te të rinjtë”, shprehet Majlinda Pilinçi, sekretare e përgjithshme e FSHSH.

s.a/dita

Share: